08000606

TOLL - FREE NUMBER

........................................

Në ditën kushtuar lirisë Fetare🇦🇱️, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda në bashkëpunim me Qendrën për Bashkëpunimin Ndërfetar në Elbasan organizoi sot një takim me autoritete fetare dhe shtetërore, drejtues dhe bashkëpunëtorë të Organizatave të Shoqërisë Civile, që qytetin e Elbasanit.
Komisioneri Gajda në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se “Gjithkush mund të thotë në Shqipëri që sot ka në të vërtetë liri të besimit por gjithkush në Shqipëri nuk duhet të harrojë që diçka më pak se tre dekada më parë liria e besimit nuk ekzistonte, besimatarët kryenin fshehurazi ritet e tyre në mënyrë individuale”.
Komisioneri Gajda garantoi se “një institucion si KMD është aty në mbrojtje të të gjitha komuniteteve, të gjitha pakicave, të të gjitha lirive për të gjitha shkaqet e diskriminimit që Kushtetuta jonë dhe Ligji për Mbrjtjen nga Diskriminimi parashikojnë”.

 

Fjala e plotë e Komisionerit për Mbrojtjennga Diskriminimi, Robert Gajda.

DITA NDËRKOMBËTARE E LIRISË FETARE 27 TETOR 2018.
Të nderuar pjesëmarrës kam kënaqësinë të jem sot i pranishëm në një ditë të shënuar në kalendarin e përkujtimeve dhe promovimeve të të drejtave dhe lirive siç është ajo e ditës ndërkombëtare të lirisë fetare.
Dua të falënderoj për organizimin e kësaj dite Qendrën për Bashkëpunimin Ndërfetar në Elbasan që është një dëshmi e prekshme e harmonisë fetare jo vetëm si ideal por edhe në praktikë dhe në të mirë të komunitetit.
Përkujtimi që bëjmë këtë vit përkon edhe me 20 vjetorin e vendosjes së kësaj dite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat nëpërmjet miratimit të Aktit mbi Lirinë Fetare të vitit 1998 shprehen vullnetin për një politikë të jashtme në respekt, përforcim dhe mbrojtje të drejtave të individëve të persekutuar nga vendet e tjera për arsye besimi.
Duke marrë njëkohësisht impenjimin për të ndërmarre veprime kundrejt cenimit të kësaj lirie nga vendet e tjera si dhe vendosjen e një Ambasadori për Lirinë Fetare Ndërkombëtare brenda Departamentit të shtetit, krijimin e një Komisioni mbi Liritë Fetare dhe vendosjen e një Këshilltari  të përhershëm për lirinë fetare brenda Këshillit të Sigurisë të Sh.B.A.
Kjo vëmendje kaq e madhe mbi Lirinë e Besimit lidhet me evidentimin nga raporte të vendeve të ndryshme të një cenimi dhe ndrydhje të vazhdueshme të lirisë fetare nëpër botë dhe në persekutimin e individëve për shkak besimi. Raporte pjesë e të cilave është edhe Shqipëria.
Në fakt akoma sot nëpër botë evidentohen dhunime të individëve dhe grupeve të individëve vetëm për shkak të besimit të tyre fetar, sidomos në ato raste kur besimi i tyre është ai i minorancёs në një shoqëri të caktuar.
Gjithashtu, interes i veçantë tregohet në këtë ditë për njohjen dhe promovimin e disa akteve të rëndësishme ndërkombëtare ku vendoset dhe mbrohet liria e besimit, si Neni 18 i Deklaratës Universale e të Drejtave të Njeriut; Nenit 18 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike; Nenit 9 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut; dhe në këtë vazhdë Nenit 24 të Kushtetutës së Shqipërisë. Thelbi i të gjitha këtyre dispozitave që e gjejmë përherë të parashikuar është ajo e vendosur në DUDNj
Neni 18 – Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut
«Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit; kjo e drejtë përfshin lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht, besimin ose bindjen e vet me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare».
Gjithkush mund të thotë në Shqipëri që sot ka në të vërtetë liri të besimit por gjithkush në Shqipëri nuk duhet të harrojë që diçka më pak se tre dekada më parë liria e besimit nuk ekzistonte, besimatarët kryenin fshehurazi ritet e tyre në mënyrë individuale, pak vite më parë ishin internuar e pushkatuar njerëz të kulteve fetare, shkatërruar vende të zhvillimit të këtyre kulteve dhe Shqipëria shënohej në hartë si i vetmi vend në histori që e sanksiononte Ateizmin e shtetit në Kushtetutë.
Neni 37 – Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste e Shqipërisë e vitit 1976 sanksiononte:
«Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botkuptimin materialist shkencor».
Por kuptohet që sot në Shqipëri liria fetare ka fituar dinjitetin e saj dhe me përpjekjet e përfaqësuesve të feve të ndryshme, të bashkëpunimit të tyre me shoqërinë, shtetin dhe ndërmjet tyre, jo vetëm garantohet liria e besimit por kemi kultivuar dhe një vlerë unike dhe të padiskutueshme, atë të Tolerancës Fetare. Këshilli Ndërfetar është shprehja më e lartë institucionale e manifestimit të harmonisë fetare.
Në këtë pikë dua të shtoj se tashmë kemi ndërtuar një model dhe duhet të jemi pikërisht ne që duhet ta përcojmë këtë model edhe në vendet e tjera për ta bërë edhe ato vlerë të tyren.
Nga ana tjetër, historia jonë, realitetet e vendeve të tjera, bashkëjetesa e minorancave të ndryshme në shoqëri duhet të na kujtojnë gjithmonë që nuk duhet ti marrim të drejtat dhe liritë si të mirëqena, por t’i zgjerojmë dhe promovojmë përherë ato në mënyrë që të arrijmë standarte të tjera.
Kështu, edhe pse kemi arritur një nivel të lartë lirie fetare dhe jemi atdheu i tolerancës fetare duhet të kuptojmë që shumë liri duhen rikonceptuar dhe duhen zgjeruar në kuptimin dhe gëzimin e tyre.
Në këtë kontekst liria nuk duhet parë thjeshtë në kuptimin e saj të ngushtë por duhet kuptuar në tërësinë e saj nëse sot besimtarët a janë në kushte që ta ushtrojnë lirinë e tyre në gjerësinë e saj?
Përshembull:
A garantohet liria e besimit edhe per kultet e tjera përtej 4 besimeve kryesore në Shqipëri? (Mysliman Suni, Katolike, Ortodokse, Bektashi).
A jemi të përgatitur për të përballuar me të njejtën liri dhe tolerancë edhe shprehje të ndryshme fetare që mund të vijnë si pasojë e emigrimit apo azil kërkuesve?
A është e çliruar shoqëria nga streotipet dhe mentalitetet kundrejt besimtarëve, që fshehin në vetvete edhe sjellje diskriminuese kundrejt tyre?
A i ka realizuar Shteti të gjitha detyrimet e tij kudrejt komuniteteve fetare në Shqipëri?
A garantohet sot liria e praktikimit të besimit fetar në vendin e punës?
Raporti i fundit për Shqipërinë i vitit 2017 publikuar nga Departamenti i shtetit amerikan në kuadër pikërisht të Aktit mbi Liritë fetare të vitit 1998, është shumë pozitiv, por evidenton edhe problematika. Si për shembull ajo lidhur me qasjen kundrejt Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë dhe transparencës së fondeve si dhe të zhdërvjellsimit të kthimit të gjitha pronave të sekuestruara nga regjimi i mëparshëm.
Sot si Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi dua të ve në evidencë që ankesa për shkak diskriminimi për besim fetar pothuajse nuk ka fare. Nuk mendoj se në Shqipëri nuk ka diskriminim për shkak besimi.
Mendoj se duhet bërë një punë më e madhe njohëse dhe sensibilizuese të këtij institucioni nga besimatrët e feve të ndryshme, me bashkëpunimin e komuniteteve, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të shohim të manifestuara problematikat qe besimtarët hasin në përditshmërinë e tyre.
Një institucion si KMD është aty në mbrojtje të të gjitha komuniteteve, të gjitha pakicave, të të gjitha lirive për të gjitha shkaqet e diskriminimit që Kushtetuta jonë dhe Ligji për Mbrjtjen nga Diskriminimi parashikojnë.

Tiranë

et-

Adresa: Rr: Sami Frashëri, Nr 10, Kati II, Tiranë
Kodi Postar: 1019
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Shkodër

et-

Adresa: Pranë Bashkisë Shkodër, Rr.13 Dhjetori, Nr.1
Kodi Postar: 4001
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Gjirokastër

et-

Adresa: Ish "Shtëpia e Oficerave" ADISA, Gjirokastër
Kodi Postar: 6001
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Korçë

et-

Adresa: Pranë Bashkisë Korçë, Rr:28 Nentori, Nr.1
Kodi Postar: 7001
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Rreth Nesh

Veprimtaria e Komisionerit realizohet nëpërmjet shqyrtimit të ankesave të subjekteve që pretendojnë se janë viktima të sjelljeve diskriminuese apo që e nxisin atë, jo vetëm nga  administrata publike, por edhe nga subjektet private.

Shkarkoni Aplikacionin

Shkarko aplikacionin për versionin IOS

 Shkarko aplikacionin për versionin ANDROID