08000606

NUMRI JESHIL: PA PAGESË

........................................

Procedurat e Trajtimit të Ankesës

Ankesat me objekt ‘konstatim diskriminimi” mund të depozitohet për shqyrtim administrativ pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ose mund të depozitohet për gjykim me të njëjtin objekt pranë gjykatës kompetente.

 

Nëse ankuesi e depoziton çështjen me objekt “konstatim diskriminimi” në gjykatë, ndërkohë që, kjo çështje ndodhet për shqyrtim pranë KMD-së, ky i fundit pasi merr dijeni për një fakt të tillë, merr vendim për ndërprerje të procedurave të shqyrtimit administrativ të ankesës.

 

Pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi mund të depozitojnë ankesë subjektet e mëposhtme:

  • Çdo person fizik dhe juridik shqiptar, që banon ose ushtron aktivitetin e tij brenda territorit të Republikës së Shqipërisë;
  • Çdo shtetas shqiptar, me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, në marrëdhënie me organet shtetërore shqiptare;
  • Personat fizikë e juridikë të huaj, me banim, vendqëndrim apo seli jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në marrëdhënie me organet shtetërore shqiptare.

 

Ankesa mund të paraqitet nga një person ose nga një grup personash që pretendojnë se janë diskriminuar. Ankuesi/it mund të përfaqësohen personalisht pranë Komisionerit, ose nëpërmjet një organizate me interesa legjitime, që pretendon diskriminim në emër të tyre. Në këtë rast, organizata me interesa legjitime duhet te pajiset me akt përfaqësimi, si dhe të depozitojë bashkëlidhur ankesës, përveç provave dhe fakteve konkrete, që vërtetojnë diskriminimin e pretenduar, edhe Aktin e Regjistrimit, lëshuar me vendim gjyqësor nga gjykata kompetente dhe Statutin e saj.

 

Ankesa mund të depozitohet sipas formularit të ankesës, që gjendet i publikuar online në faqen zyrtare të KMD-së, ose në formë narrative. Ankuesi mund ta dërgojë ankesën e tij me e-mail në adresën info@kmd.al, nëpërmjet shërbimit postar, ose mund të paraqiten pranë Drejtorisë së Ankesave, pranë KMD-së, ku mund të asistohen nga specialistet e Komisionerit, për të plotësuar ankesën dhe për t’i sqaruar mbi provat, që duhen paraqitur bashkëlidhur saj.

 

Formulari i ankesës duhet plotësuar me kujdes në të gjithë rubrikat e tij. Nëse ankesa depozitohet pranë KMD-së, pa plotësuar formularin përkatës, ajo duhet të përmbajë domosdoshmërisht elementet e mëposhtëm:

    • emrin e ankuesit;
    • adresën dhe numrin e telefonit të ankuesit;
    • subjektin që pretendohet të ketë kryer diskriminimin;
    • shkakun e diskriminimit sipas nenit 1 të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
    • shpjegimin e diskriminimit të pretenduar;
    • masat që kërkohen nga Komisioneri;
    • datën dhe firmën e ankuesit ose të përfaqësuesit të tij.

 

  1. Bashkëlidhur ankesës duhet të dërgohet domosdoshmërisht një kopje e mjetit të identifikimit të ankuesit/ve.

 

  1. Ankesa nuk pranohet për shqyrtim pranë Komisionerit, në rastet e mëposhtme:
    • kur është anonime;
    • përbën abuzim me të drejtën e ankimimit para Komisionerit, ose është e papajtueshme me dispozitat e këtij ligji;
    • e njëjta çështje është duke u shqyrtuar në kuadër të një ankese tjetër ose për të është marrë një vendim i mëparshëm dhe nuk ka të dhëna të reja;
    • është haptazi e pabazuar ose nuk ka informacion të mjaftueshëm për të bërë të mundur një hetim;
    • të gjitha faktet që përbëjnë thelbin e ankesës kanë ndodhur para hyrjes në fuqi të këtij ligji;
    • paraqitet më vonë se tre vjet nga ndodhja e diskriminimit ose më vonë se një vit nga marrja dijeni nga i dëmtuari, për këtë fakt.
  1. Bashkëlidhur Formularit të Ankesës, pranë Komisionerit duhet dërguar të gjitha provat shkresore, që vërtetojnë pretendimet e ankuesit ndaj subjektit përkatës, e sidomos ato dokumente zyrtare, që vërtetojnë shkaqet e diskriminimit, të cilat janë shënuar nga ankuesi/it në formular. Për shembull: Nëse personi pretendon diskriminim për shkak të aftësisë se kufizuar, duhet të depozitojë Vendimin e KMCAP-së, nëpërmjet së cilit ai është përcaktuar si i tillë.

 

  1. Me marrjen e ankesës, strukturat përkatëse të Komisionerit kryejnë shqyrtimin paraprak dhe nëse ka mungesa në dokumentacionin e depozituar, kontaktojnë me ankuesin me e-mail, numër kontakti ose nëpërmjet shkresave zyrtare, për plotësimin e mangësive të konstatuara.

 

  1. Nëse gjatë shqyrtimit paraprak konstatohet se ankesa, përbën një nga rastet, e parashikuara në pikën 8, Komisioneri vendos mospranimin për shqyrtim të ankesës. Komisioneri shprehet me vendim mospranimi, brenda 15 ditëve nga dita e depozitimit të ankesës.

 

  1. Nëse ankesa pranohet për shqyrtim, Komisioneri i drejtohet me shkresë zyrtare subjektit kundër së cilit drejtohet ankesa dhe për dijeni ankuesit, brenda 15 ditëve nga dita e depozitimit të ankesës. Nëpërmjet kësaj shkrese, kryhet njoftimi për fillimin e shqyrtimit të ankesës dhe kërkohen prapësimet e subjektit, mbi pretendimet e ankuesit/ve. Subjekti kundër së cilit drejtohet ankesa duhet të dërgojë informacionin e kërkuar, brenda 30 ditëve nga dita e marrjes së njoftimit.

 

  1. Në vijim të procedurave hetimore, si dhe kur e konsideron të nevojshme, Komisioneri vendos për të zhvilluar inspektim pranë subjektit kundër të cilit drejtohet ankesa.

 

  1. Kur e sheh të përshtatshme, Komisioneri zhvillon seancë dëgjimore publike dhe fton palët dhe çdo person tjetër të interesuar të marrë pjesë në të.

 

  1. Kur e sheh të përshtatshme, Komisioneri kërkon të arrijë marrëveshje pajtimi mes ankuesit dhe personit kundër të cilit është paraqitur ankesa.

 

  1. Komisioneri shprehet me Vendim, i cili u njoftohet palëve brenda 90 ditëve nga dita e marrjes së ankesës, ose, nëse është zhvilluar një seancë dëgjimore publike, brenda 90 ditëve nga dita e seancës. Vendimi përmban rregullimet dhe masat e duhura, duke caktuar  edhe një afat për kryerjen e tyre.

 

  1. Nëse në vendimin e tij, Komisioneri ka konstatuar diskriminim të ankuesit, nga subjekti përkatës, si dhe urdhëron rregullime ose masa, ky subjekt duhet të raportojë brenda 30 ditëve para Komisionerit, në lidhje me veprimet e ndërmarra për zbatimin e vendimit.

 

  1. Në rast se subjekti, kundër të cilit është paraqitur ankesa, nuk e informon Komisionerin ose nuk e zbaton vendimin, Komisioneri vendos masë për ndëshkimin me gjobë për subjektin kundër të cilit është paraqitur ankesa. Sanksioni me gjobë shfuqizohet nëse personi kundër të cilit është paraqitur ankesa, e zbaton vendimin brenda shtatë ditëve pasi është vendosur sanksioni.

 

  1. Në rast se vendimi i Komisionerit, që ka konstatuar diskriminim, kundërshtohet në gjykatë atëherë ai nuk mund të ekzekutohet pa përfunduar procedurat gjyqësore dhe pa marrë vendimi formë të prerë.

 

  1. Çdo subjekt që nuk zbaton vendimet e Komisionerit dhe që shkel dispozitat e këtij ligji sanksionohet me gjobë si më poshtë:

 

  • personi fizik nga 10 000 deri në 60 000 lekë;
  • personi juridik nga 60 000 deri në 600 000 lekë;
  • personi fizik brenda personit juridik, i cili është përgjegjës për shkelje, nga 30 000 deri në 80 000 lekë;
  • personi, i cili ushtron funksion publik dhe është përgjegjës për shkelje në bazë të këtij ligji, nga 30 000 deri në 80 000 lekë

 

  1. Gjoba derdhet në buxhetin e shtetit.

 

  1. Si mjet të fundit, veçanërisht kur subjekti fizik ose juridik nuk i përmbahet vendimit të Komisionerit, si dhe nuk e paguan gjobën brenda tre muajve pas afatit të caktuar nga Komisioneri dhe sanksioni nuk është kundërshtuar në gjykatë, Komisioneri mund t’u kërkojë autoriteteve kompetente heqjen apo pezullimin e lejes ose autorizimit të subjektit fizik ose juridik për ta ushtruar veprimtarinë e tij.

 

  1. Mbështetur në informacione të besueshme të dërguara pranë KMD-së, nga shoqata me interes legjitim, apo bazuar në informacione të publikuara apo të transmetuara në median e shkruar apo vizive, Komisioneri fillon shqyrtimin e çështjeve kryesisht ose ex-officio, pra me nismën e tij.

 

  1. Vendimet e Komisionerit mund të ankimohen nga palët, brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente.

 

  1. Ne rastet kur, Komisioneri shprehet me vendim, ku konstatohet diskriminim për shkaqet e pretenduara nga ankuesi, ky i fundit kërkon dëmshpërblim pranë gjykatës kompetente.

Tiranë

et-

Adresa: Rruga “Durrësit” (ish Ministria e Mjedisit), Tiranë
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Shkodër

et-

Adresa: Pranë Bashkisë Shkodër, Rr.13 Dhjetori, Nr.1
Kodi Postar: 4001
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Korçë

et-

Adresa: Pranë Bashkisë Korçë, Rr:28 Nentori, Nr.1
Kodi Postar: 7001
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Fier

et-

Adresa: ADISA Lagjia 11 Janari, “Shtëpia e Ushtarakëve”
Kodi Postar: 9301
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Rreth Nesh

Veprimtaria e Komisionerit realizohet nëpërmjet shqyrtimit të ankesave të subjekteve që pretendojnë se janë viktima të sjelljeve diskriminuese apo që e nxisin atë, jo vetëm nga  administrata publike, por edhe nga subjektet private.

Shkarkoni Aplikacionin

Shkarko aplikacionin për versionin IOS

 Shkarko aplikacionin për versionin ANDROID