Lajme

Aktivitet “Për një arsim gjithëpërfshirës dhe pa diskriminim”

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Korçë zhvilloi aktivitetin me temë “Për një arsim gjithëpërfshirës dhe pa diskriminim”, me pjesëmarrjen e një grupi prindërish të fëmijëve të arsimit parashkollor në Bashkinë Korçë.

Gjatë takimit përfaqësuesja e Zyrës Rajonale Korçë prezantoi rekomandimet e Komisionerit të publikuara së fundmi për garantimin e barazisë dhe mbrojtjen nga diskriminimi në sistemin arsimor, si dhe informoi mbi veprimtarinë e institucionit në fushën e arsimit dhe mbi raste të suksesshme të trajtuara nga institucioni.

Duke theksuar rëndësinë e edukimit të fëmijëve që në moshë të hershme për krijimin e një mjedisi arsimor të sigurt, mikpritës dhe gjithëpërfshirës, prindërit theksuan nevojën për një angazhim më të madh të institucioneve arsimore, në bashkëpunim me komunitetin për parandalimin e bullizimit, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në shkolla.