Genta Tafa (Bungo)
Prof. Asoc. Dr. Genta Tafa (Bungo) ka një karrierë të gjatë që gërsheton angazhimin në administratën publike, sistemin e drejtësisë dhe mësimdhënien universitare. Ajo u diplomua për drejtësi në vitin 1993, për të fituar më vonë gradën “Doktor” në vitin 2008 dhe titullin “Profesor i asociuar” në vitin 2014 nga Universiteti i Tiranës. Përgatitja e saj akademike u thellua përmes specializimeve pasuniversitare në Hollandë, Austri, Itali e Greqi.
Rrugëtimi profesional i saj zuri në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si specialiste, vijuar me angazhimin në fushën akademike, duke punuar si pedagoge e brendshme në Fakultetin e Drejtesisë, Universiteti i Tiranës. Mësimdhënia mbeti pjesë e pandarë e karrierës së saj përgjatë viteve, duke u angazhuar si përgjegjëse e departamentit të së drejtës publike dhe si pedagoge e jashtme në një sërë institucionesh të arsimit të lartë në lëndët e drejta financiare, e drejta bankare dhe e drejta kushtetuese.
Karriera e saj publike përfshin drejtimin e Drejtorisë Juridike dhe Integrimit në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, si dhe detyrën e këshilltares pranë Ministrit të Integrimit. Në sektorin e zbatimit të ligjit, ajo ka ushtruar profesionin e përmbarueses gjyqësore private dhe ka mbajtur pozicionin e Sekretares së Përgjithshme të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.
Ajo ka shërbyer në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit nga viti 2017 deri në vitin 2024, fillimisht si Kryetare dhe më pas si Komisionere, duke marrë pjesë në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Zonja Tafa ka publikuar një numër të madh artikujsh shkencorë dhe ka referuar në konferenca të ndryshme, me fokus te taksimi, decentralizimi fiskal dhe sfidat juridike të integrimit evropian. Zotëron gjuhën angleze dhe italiane, si dhe ka njohuri bazë në gjermanisht.
