08000606

TOLL - FREE NUMBER

........................................

F.A.Q.

 1.    Kush është dhe për çfarë shërben Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi? 
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është institucion i pavarur në ushtrimin e detyrës dhe u nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Komisioneri është person juridik publik. Ai mbështetet nga Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (Zyra), e cila ka personelin dhe pajisjet e nevojshme për të mbështetur Komisionerin në përmbushjen e detyrave të ngarkuara me ligj. Komisioneri është titullari i institucionit, i cili zgjidhet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit me mandat 5-vjecar me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin.                                                 .

2.    Cili është qëllimi i ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”? 
Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë barazi përpara ligjit dhe mbrojtje të barabartë nga ligji; mundësi të barabarta për të ushtruar të drejtat, për të gëzuar liritë dhe për të marrë pjesë në jetën publike si dhe mbrojtje efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminim.

3.    Çfarë kuptojmë me “diskriminim”? 
Termi “Diskriminim” nënkupton çdo dallim, përjashtim, kufizim apo preferencë, që ka si qëllim bërjen e pamundur të ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët, të të drejtave e lirive themelore të njohura me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe me ligjet në fuqi. Pra, diskriminimi ka të bëjë me trajtimin e ndryshëm ose jo të barabartë të personave, të cilët  ndodhen në kushte të njëjta ose trajtimi i njëjtë në kushte të ndryshme. Jemi përpara diskriminimit kur ne preferojmë një person mes të tjerëve që janë në kushte të barabarta ose kur ndaj një personi vendosim kufizime dhe ndaj të tjerëve jo.

4.    Cilat janë format në të cilat mund të shfaqet diskriminimi? 
Diskriminimi mund të shfaqet në disa forma. Forma më e zakonshme është ajo e diskriminimit të drejtpërdrejtë, por kemi edhe diskriminim të tërthortë, për shkak të shoqërimit, viktimizim etj.
•    Diskriminim i drejtpërdrejtë – kur një person/grup personash trajtohen në mënyrë më pak të favorshme sesa një person apo grup tjetër personash në një situatë të njëjtë a të ngjashme, bazuar në shkaqet e parashikuara në ligj.
•    Diskriminim i tërthortë – kur një dispozitë, kriter apo praktikë, e paanshme në dukje, do ta vinte një person ose grup personash në kushte jo të favorshme, në lidhje me shkaqet e parashikuara në ligj, në raport me një tjetër person ose grup personash, si dhe kur ajo masë, kriter a praktikë, nuk justifikohet objektivisht nga një synim i ligjshëm, ose kur mjetet e arritjes së këtij synimi nuk janë të përshtatshme, të domosdoshme dhe në përpjesëtim të drejtë me gjendjen që e ka shkaktuar atë..
•    Diskriminim për shkak të shoqërimit – kur ka një dallim, kufizim ose preferencë, për arsye të shoqërimit me persona që u përkasin grupeve të përmendura në nenin 1 të ligjit (ku janë të parashikuar shkaqet) si dhe për shkak të supozimit për një shoqërim të tillë.
•    Shqetësim – ndodh në rastin e një sjelljeje të padëshiruar, kur lidhet me cilëndo nga shkaqet, që ka për qëllim apo efekt cënimin e dinjitetit të personit dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, përçmues, poshtërues a ofendues për atë person, si dhe në rastin e një trajtimi më pak të favorshëm, i kryer si rezultat i kundërshtimit ose i mosnënshtrimit nga ana e personit të cënuar ndaj një sjelljeje të tillë.
•    Udhëzim për të diskriminuar – është një udhëzim ose kërkesë, bazuar në marrëdhënie hierarkike, për të diskriminuar një ose më shumë persona, bazuar në shkaqet e diskriminimit.
•    Mohim i një përshtatjeje të arsyeshme – ndodh kur ka një mohim ose kundërshtim për të kryer ndryshime ose rregullime të domosdoshme e të përshtatshme që nevojiten në një rast të veçantë dhe nuk imponojnë një barrë të tepruar, me qëllim që të sigurohet gëzimi dhe ushtrimi në baza të barabarta i të drejtave dhe lirive themelore për personat me aftësi të kufizuar, ose të ndodhur në kushtet e tjera të përmendura në nenin 1 të këtij ligji.
•    Viktimizimi – trajtimi i disfavorshëm apo pasojë negative, që vjen si reagim ndaj një ankimimi a një procedimi që synon zbatimin e parimit të barazisë.                               .

5.    Kush mund t’i drejtohet Zyrës së Komisionerit? 
Pranë Zyrës së Komisionerit mund të ankohen:
•    Personat (fizikë ose juridikë)
•    Grup personash, ose
•    Organizatat me interesa legjitime (sipas kuptimit të Ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Organizatat me interesa legjitime janë ato organizata, të cilat janë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë dhe kanë si objekt të deklaruar të veprimtarisë së tyre mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ose u ofrojnë ndihmë viktimave të diskriminimit).
.

6.    Ndaj kujt mund të ankohemi? 
Ligji garanton mbrojtjen nga diskriminimi ndaj subjekteve shtetërore si dhe atyre private.

7.    Si mund t’i drejtohemi Komisionerit? 
Çdo person, grup personash ose organizatë me interesa legjitime që pretendon diskriminim në emër të një personi apo grupi personash, mund t’i drejtohet Zyrës së Komisionerit për çdo pretendim diskriminimi.
Si rregull ankesa duhet të paraqitet me shkrim duke i bashkëngjitur dokumentet/provat, me anë të të cilave ankuesit bazojnë pretendimin e tyre. Në rastet kur ankesa e paraqitur nuk është e plotë, pasi mungojnë dokumentet e nevojshme ku bazohet ajo, kërkohet që ajo të plotësohet ose bëhen kërkesa për parashtrime nga personi kundër të cilit është paraqitur ankesa.
Në raste përjashtimore, ankesa mund të merret gojarisht, në mënyrë që të mund të mbahet procesverbal.

8.    Për cilat të drejta mund të diskriminohemi? 
Ne mund të diskriminohemi në raport me një të drejtë të caktuar të parashikuar ne Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi. Megjithatë, ligji “Për Mbrojtjen nga diskriminimi” ka parashikuar disa nga të drejtat për të cilat mund të diskriminohemi. Kështu, në nenin 9 ndalohet diskriminimi në ushtrimin e të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur (pjesëmarrja në politikë), ndërsa në nenin 10 ndalohet diskriminimi në lidhje me lirinë e ndërgjegjjes dhe fesë.                          .                                                            .
9.    Në cilat  fusha ligji garanton mbrojtje nga diskriminimi? 
Në jetën e përditshme, fushat në të cilat ne mund të diskriminohemi dhe që janë parashikuar shprehimisht edhe në ligj janë:
•    Fusha e punësimit;
Çdo punëmarrës ka të drejtë të ankohet te punëdhënësi, te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ose në gjykatë, nëse beson se ka pësuar diskriminim.
•    Fusha e arsimit;
Çdo person mund të ankohet tek institucioni arsimor në të cillin bën pjesë, te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ose në gjykatë.
•    Fusha e ofrimit dhe përfitimit të të mirave dhe shërbimeve.

10.    Për cilat shkaqe mund të pretendojmë diskriminim? 
Ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë, ose me çdo shkak tjetër.
Në këtë mënyrë, ligji ka parashikuar disa shkaqe për të cilat ne mund të diskriminohemi, por këto nuk janë të vetmet. Kjo do të thotë se legjislatori e ka lënë të hapur listën e tyre duke orientuar në rastet më të përhapura të shfaqjes së diskriminimit.                                       .

11.    A parashikon ligji përjashtime nga e drejta për mosdiskriminim? 
Po, ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” parashikon edhe raste përjashtimore të së drejtës për mosdiskriminim. Këto raste janë:
•    Qëllimi objektivisht i justifikueshëm
Ndalimi i diskriminimit i përshkruar nga ky ligj nuk zbatohet në raste kur ka një qëllim objektivisht të justifikueshëm dhe të përligjur në bazë të Kushtetutës, të marrëveshjeve apo akteve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë dhe legjislacioni në fuqi.
•    Natyra e aktiviteteve profesionale
Trajtimi i ndryshëm nuk përbën diskriminim kur për shkak të natyrës së aktiviteteve profesionale ose kushteve në të cilat profesioni ushtrohet, këto karakteristika përbëjnë një kërkesë profesionale të domosdoshme.
Në këtë rast qëllimi i trajtimit të ndryshëm duhet të jetë i përligjur dhe kërkesa nuk duhet të kapërcejë atë çfarë është e domosdoshme për realizimin e saj.
•    Veprimet pozitive                                             .
Veprime pozitive do të konsiderohen të gjitha ato masa të përkohshme, që synojnë përshpejtimin e vendosjes reale të barazisë, kur mungesa e barazisë është shkaktuar nga diskriminimi për cilindo shkak.
Kjo masë ndërpritet sapo të jenë arritur objektivat e trajtimit dhe ofrimit të mundësive të barabarta.

•    Kriteret për vlerësimin e rastit përjashtimor
Përjashtimi mund të lejohet vetëm kur ekziston një përligjie e arsyeshme dhe objektive. Megjithatë, në çdo rast, diskriminimi për shkaqet e parashikuara në ligj mund të lejohet për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Gjithashtu, përjashtimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar nevojën për diskriminimin,  pa cënuar thelbin të drejtave dhe lirive.                                               ..

12.    Cfarë përmban formulari i ankesës? 
Formulari i ankesës përmban kryesisht këto të dhëna:
•    Emrin e ankuesit dhe mënyra se si mund të kontaktohet;
•    Subjektin që pretendohet të ketë kryer diskriminim;
•    Shkaku për të cilin pretendohet diskriminimi
•    Shpjegimin e diskriminimit të pretenduar;
•    Masat që kërkohen të ndërmerren nga Komisioneri;
Ankuesi, së bashku me ankesën, mund të paraqesë edhe provat e disponueshme me anë të të cilave ai bazon pretendimin e tij.

13.    Në cilat raste Komisioneri mund të mos e pranojë ankesën? 
Ankesa nuk pranohet nëse:
•    është anonime;
•    përbën abuzim me të drejtën e ankimimit para Komisionerit, ose është e papajtueshme me dispozitat e ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”;
•    e  njëjta çështje është duke u shqyrtuar në kuadër të një ankese tjetër ose për të është marrë një vendim i mëparshëm dhe nuk ka të dhëna të reja;
•    është  haptazi e pabazuar ose nuk ka informacion të mjaftueshëm për të bërë të mundur një hetim;
•    të gjitha faktet që përbëjnë thelbin e ankesës kanë ndodhur para hyrjes në fuqi të këtij ligji;
•    paraqitet më vonë se tre vjet nga ndodhja e diskriminimit ose më vonë se një vit nga marrja dijeni nga i dëmtuari, për këtë fakt.

14.    A duhet të paguaj tarifë për ankesën? 
Jo, Komisioneri nuk i ngarkon ankuesit asnjë tarifë për marrjen dhe shqyrtimin e ankesës.

15.    Si vepron Zyra e Komisionerit pas marrjes së ankesës? 
Me marrjen e ankesës, Komisioneri  njofton me shkrim subjektet kundër të cilëve është paraqitur ankesa. Me qëllim verifikimin e fakteve, Komisioneri mund t’u kërkojë parshtrime/informacione palëve brenda 30 ditëve nga dita që ata marrin njoftimin.
Kur e sheh të përshtatshme, Komisioneri zhvillon një seancë dëgjimore publike ose mund të kërkojë të arrijë marrëveshje pajtimi mes palëve.
Pas shqyrtimit, Komisioneri shprehet me vendim, të cilin ua komunikon palëve brenda 90 ditëve nga marrja e ankesës. Nëse është zhvilluar një seancë dëgjimore publike, vendimi merret brenda 90 ditëve nga dita e seancës.
Vendimi përmban rregullimet dhe masat e duhura, duke caktuar edhe një afat për kryerjen e tyre.
Personi kundër të cilit është paraqitur ankesa, raporton para Komisionerit brenda 30 ditëve në lidhje me veprimet e ndërmarra për zbatimin e vendimit. Në rast se ai nuk e informon Komisionerin ose nuk zbaton vendimin, ndëshkohet me gjobë.
Në rast se ai zbaton vendimin brenda shtatë ditëve nga caktimi i gjobës, atëherë sanksioni me gjobë ndaj tij shfuqizohet automatikisht.
Si mjet të fundit, kur subjekti fizik ose juridik nuk i përmbahet vendimit të Komisionerit ose nuk e paguan gjobën brenda tre muajve pas afatit të caktuar si dhe kur sanksioni nuk është kundërshtuar në gjykatë, Komisioneri mund t’u kërkojë autoriteteve kompetente heqjen apo pezullimin e lejes ose autorizimit të subjektit fizik ose juridik për ta ushtruar veprimtarinë e tij.

16.    Përvecse të Komisioneri, ku mund të drejtohemi për tu ankuar për diskriminim? 
Personat dhe grupet e personave si dhe organizatat me interesa legjitime që i përfaqësojnë ato, perveçse te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, mund të ankohen edhe:
•    Në Gjykatë me kërkesë-padi për dëmshpërblim,
•    Në Prokurori me kallëzim për ndjekje penale.

17.    A mund të kërkoj dëmshpërblim tek Zyra e Komisionerit? 
Jo, Komisioneri nuk mund të caktojë dëmshpërblim në favor të subjektit të diskriminuar.
Në rast se subjekti pretendon dëmshpërblim, ai duhet t’i drejtohet Gjykatës kompetente me kërkesë-padi. Vendimi i gjykatës cakton dëmshpërblim nëse ka shkelje të ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, duke përfshirë edhe një afat kohor për kryerjen e zhdëmtimit.

18.    Kur mund të paraqitet një ankesë tek Komisioneri dhe në Gjykatë? 
Ankesa pranë Zyrës së Komisionerit nuk mund të paraqitet më vonë se tre vjet nga ndodhja e diskriminimit ose më vonë se një vit nga marrja dijeni nga i dëmtuari.
Paraqitja e ankimit përpara Komisionerit nuk është kusht dhe nuk përbën pengesë për të paraqitur një kërkesë-padi gjykatës ose organeve të ndjekjes penale. Me fjalë të tjera, subjekti që pretendon një sjellje diskriminuese mund t’i drejtohet gjykatës pa bërë më parë një ankim administrativ në Zyrën e Komisionerit.
Komisioneri, me pëlqimin e  personit ose grupit të personave të dëmtuar nga diskriminimi, mund ti përfaqësojë ata në gjykatë duke paraqitur një padi në emër të tyre.
Në Gjykatë, padia nuk mund të paraqitet më vonë se 5 vjet nga dita që ka ndodhur diskriminimi dhe jo më vonë se 3 vjet nga dita që i dëmtuari merr dijeni për këtë sjellje.

Tiranë

et-

Adresa: Rr: Sami Frashëri, Nr 10, Kati II, Tiranë
Kodi Postar: 1019
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Shkodër

et-

Adresa: Pranë Bashkisë Shkodër, Rr.13 Dhjetori, Nr.1
Kodi Postar: 4001
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Gjirokastër

et-

Adresa: Ish "Shtëpia e Oficerave" ADISA, Gjirokastër
Kodi Postar: 6001
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Korçë

et-

Adresa: Pranë Bashkisë Korçë, Rr:28 Nentori, Nr.1
Kodi Postar: 7001
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Rreth Nesh

Veprimtaria e Komisionerit realizohet nëpërmjet shqyrtimit të ankesave të subjekteve që pretendojnë se janë viktima të sjelljeve diskriminuese apo që e nxisin atë, jo vetëm nga  administrata publike, por edhe nga subjektet private.

Shkarkoni Aplikacionin

Shkarko aplikacionin për versionin IOS

 Shkarko aplikacionin për versionin ANDROID