Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Korçë zhvilloi një takim të hapur informues me nxënës të Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Raqi Qirinxhi”, me fokus të drejtat e njeriut, diversitetin, tolerancën dhe bashkëjetesën pa diskriminim.
Gjatë takimit, nxënësit u njohën me format dhe shkaqet e diskriminimit, mënyrat e identifikimit, parandalimit dhe raportimit të tij, ndërsa një vëmendje e veçantë iu kushtua bullizmit në mjediset shkollore dhe gjuhës së urrejtjes, veçanërisht në rrjetet sociale. Përmes bashkëbisedimit dhe shembujve konkretë u diskutua edhe për ndikimin e stereotipeve dhe paragjykimeve gjinore e sociale dhe rëndësinë e thyerjes së tyre.
Nxënësit u përfshinë aktivisht në diskutim, duke ngritur pyetje mbi mënyrën se si duhet të veprojnë përballë situatave diskriminuese dhe rolin që mund të kenë vetë në krijimin e një mjedisi shkollor më të sigurt, miqësor dhe gjithëpërfshirës.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësuese të Shërbimit të Ndihmës Juridike Falas Korçë dhe Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve pranë Bashkisë Korçë, duke kontribuar në informimin e të rinjve mbi mekanizmat e mbrojtjes dhe forcimin e bashkëpunimit institucional.
Përmes aktiviteteve të tilla, KMD synon të fuqizojë të rinjtë për të njohur dhe mbrojtur të drejtat e tyre, për të respektuar diversitetin dhe për të kontribuar në një kulturë shkollore pa diskriminim.

