Nisma kombëtare “Udhëtimi në Shqipëri” ndaloi sot në Librazhd, duke vijuar misionin për të qenë më pranë qytetarëve, për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të promovuar barazinë, gjithëpërfshirjen dhe garantimin e mundësive të barabarta veçanërisht për gratë dhe vajzat.
Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo), në fjalën e saj theksoi se “Ndryshimi nuk vjen nga një institucion i vetëm. Institucionet vendore kanë mundësinë më të drejtpërdrejtë për të bërë dallimin: duke garantuar që shërbimet të jenë të arritshme për gratë nga fshatrat më të largëta, duke mbështetur mundësitë e punësimit dhe të vetëpunësimit, duke u siguruar që vajzat të vazhdojnë shkollën, dhe duke përfshirë gratë në vendimmarrjen vendore. Shoqëria civile, nga ana tjetër, shpesh është ajo që arrin aty ku institucionet nuk arrijnë, që njeh çdo familje dhe që mund të ndërtojë besimin e nevojshëm që gratë të ngrenë zërin. Dhe secili prej nesh, si qytetar, ka një rol në mënyrën sesi flet, sesi edukon fëmijët e tij dhe sesi reagon kur sheh një trajtim të padrejtë”.
Gjatë takimit, qytetarët ndanë shqetësime dhe përvoja që lidhen me sfida të ndryshme sociale, përfshirë marrëdhëniet familjare, trajtimin e pabarabartë dhe vështirësitë me të cilat përballen komunitetet në nevojë, veçanërisht komuniteti egjiptian.
Bashkëbisedimi i të pranishmëve nxori në pah rëndësinë e informimit dhe ndërgjegjësimit të vazhdueshëm mbi të drejtat dhe mekanizmat ligjorë të mbrojtjes nga diskriminimi. Gjithashtu, u theksua nevoja për një prani më të shpeshtë të institucioneve në nivel vendor, përmes takimeve informuese dhe forcimit të mundësive të komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, me synim afrimin e shërbimeve dhe mbështetjes institucionale pranë komuniteteve.
Nisma “Udhëtimi në Shqipëri”, e mbështetur edhe nga projekti PACEP II i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, do të vijojë misionin e saj edhe më tej duke ndaluar në vazhdim në qytetin e Kolonjës, Përmetit dhe Rrëshenit (Mirëditë).

