Lajme

KMD në Fier, diskuton mbi aksesin në bursat shkollore dhe mbrojtja nga diskriminimi etnik

Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Fier mori pjesë në ëorkshopin e organizuar nga Qendra për Advokim Social dhe mbështetur nga UNDP, me fokus në vetëdeklarimin etnik, punësimin, arsimin dhe rolin e institucioneve vendore në garantimin e aksesit të barabartë në të drejta dhe shërbime.

Gjatë diskutimeve, përfaqësuesja e Komisionerit trajtoi çështjen e përfitimit të bursave nga nxënësit e arsimit parauniversitar publik, duke iu referuar monitorimit të kryer nga institucioni dhe zbatimit të VKM-së nr. 666/2019. Vëmendje e veçantë iu kushtua informimit dhe mbështetjes së familjeve në procesin e aplikimit, veçanërisht atyre në kushte të pafavorshme ekonomike e shoqërore dhe pjesëtarëve të pakicave rome dhe egjiptiane.

Një tjetër temë e rëndësishme ishte formulari i vetëdeklarimit të përkatësisë në një pakicë kombëtare, ku u theksua rëndësia e respektimit të vetidentifikimit, shmangies së paragjykimeve dhe parandalimit të diskriminimit gjatë ofrimit të shërbimeve publike.

Pjesëmarrja e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në këtë aktivitet vjen në kuadër të ndërgjegjësimit dhe forcimit të një qasjeje gjithëpërfshirëse, që garanton trajtim të barabartë dhe akses më të lehtë të qytetarëve në të drejtat dhe shërbimet publike.