Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) sqaron se vendimet e tij përbëjnë akte administrative, në kuptim të Kodit të Procedurave Administrative, dhe janë të detyrueshme për zbatim nga subjektet ndaj të cilave drejtohen.
Kundër vendimeve të Komisionerit ligji nuk parashikon asnjë shkallë ankimi administrativ; ato kundërshtohen drejtpërdrejt në gjykatë. Për rrjedhojë, në zbatim të nenit 164 të Kodit të Procedurave Administrative, vendimi fillon të ekzekutohet që në momentin e njoftimit të tij, pavarësisht ushtrimit të së drejtës për t’iu drejtuar gjykatës.
Depozitimi i një padie në Gjykatën Administrative nuk e pezullon automatikisht detyrimin për zbatim. Ekzekutimi pezullohet vetëm në rastet e parashikuara shprehimisht nga ligji, ose kur gjykata kompetente vendos pezullimin e zbatimit të aktit.
Subjektet që nuk njoftojnë Komisionerin për masat e marra për zbatimin e vendimit, ose që nuk e zbatojnë atë brenda afateve ligjore, i nënshtrohen masës administrative me gjobë, sipas nenit 33, pikat 11-13, të ligjit nr. 10221, datë 04.02.2010, “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, i ndryshuar.
