08000606

NUMRI JESHIL: PA PAGESË

........................................

Shkaqet e Diskriminimit

Shkak i mbrojtur është një karakteristikë e identifikueshme, objektive apo personale, ose “status”, nga të cilat individët ose grupet e individëve janë të dallueshëm nga njëri-tjetri.

  • Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi (LMD) parashikon në nenin 1 të tij shkaqet për të cilat diskriminimi është i ndaluar. Këto janë: gjinia, raca, ngjyra, etnia, gjuha, identiteti gjinor, orientimi seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendja ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzania, përkatësia prindërore, përgjegjësia prindërore, mosha, gjendja familjare ose martesore, gjendja civile, vendbanimi, gjendja shëndetësore, predispozicione gjenetike, aftësia e kufizuar, përkatësia në një grup të veçantë, ose çdo shkak tjetër. Shpeshherë tërësia e këtyre shkaqeve njihet edhe si “shkaqe të mbrojtura”. Lista e këtyre shkaqeve sipas legjislacionit shqiptar nuk është shteruese, përderisa përdoret termi për çdo shkak tjetër.
  • Ju jeni diskriminuar nëse jeni trajtuar në mënyrë të pafavorshme, të padrejtë, të paligjshme, krahasuar me një person tjetër, në rrethana të njëjta apo të ngjashme, dhe si shkak për këtë trajtim ka shërbyer: gjinia, raca, ngjyra, etnia, gjuha, identiteti gjinor, orientimi seksual, bindja politike, fetare ose filozofike, gjendja ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzania, përkatësia prindërore, përgjegjësia prindërore, mosha, gjendja familjare ose martesore, gjendja civile, vendbanimi, gjendja shëndetësore, predispozicione gjenetik, aftësia e kufizuar, përkatësia në një grup të veçantë, ose ndonjë shkak tjetër nga ato të parashikuara shprehimisht në ligj por që mund të përkufizohet në varësi të rrethanave, objektive dhe subjektive, në një kontekst të caktuar. Megjithatë, një ndryshim në trajtim nuk përbën diskriminim nëse mund të justifikohet në mënyrë objektive, të arsyeshme dhe të ligjshme.
  • Diskriminimi kryhet edhe kur personat që janë në pozitë jo të barabartë trajtohen në mënyrë të njëjtë ose të barabartë. Për shembull, personat me aftësi të kufizuara janë në një pozitë të pabarabartë në krahasim me njerëzit pa aftësi të kufizuara. Trajtimi i barabartë i personave me aftësi të kufizuara në punësim, në arsim, apo në ofrimin e shërbimeve publike të ndryshme, do të rezultonte në margjinalizimin e tyre dhe në mosplotësimin e kushteve reale për mundësi konkrete të njëjta me personat e tjerë. Për ta parandaluar këtë, shoqëria dhe shteti kryejnë “veprime pozitive”, nëpërmjet të cilave arrihet barazia e mundësive ose shanseve të barabarta, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuar të mund të punojnë, studiojnë, zhvillojnë talentin dhe aftësitë e tyre dhe të zhvillojnë një jetesë të pavarur, pa barriera. Në këtë mënyrë, shteti dhe shoqëria arrijnë të përfshijnë të gjithë anëtarët që të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre në mënyrë thelbësisht të barabartë.

Me fjalë të tjera, diskriminimi është trajtim i pabarabartë i të barabartëve dhe trajtim i barabartë i pabarazive.

 

1. Bindja politike, shpesh është arsye për trajtim diskriminues dhe përfshin qoftë mbajtjen apo mos mbajtjen e saj, si edhe shprehjen e pikëpamjeve ose anëtarësinë në organizata politike, parti politike.

Shembull: “Diskriminimi për shkak të bindjeve politike” është rasti kur një person largohet nga puna për shkaqe që nuk lidhen me aftësitë dhe sjelljen e tij apo me kërkesat operacionale të ndërmarrjes, kur një person nuk punësohet edhe pse është më i kualifikuar se kandidatët e tjerë, kur një punonjësi i mohohet e drejta për të avancuar në karrierë, për shkak të anëtarësisë në një parti politike, shprehjes së bindjeve politike, në mënyrë individuale ose kolektive, pa qenë e nevojshme që të jetë anëtar i partisë politike.

 

2. Diskriminimi për shkak të aftësisë së kufizuar mund të ndodh ndaj një personi që është me aftësi të kufizuara (fizike, mendore, intelektuale, ndijore) ose ka qenë me aftësi të kufizuara në të shkuarën, që ka predispozicion për të qenë me aftësi të kufizuara në të ardhmen, ose që prezumohet se është me aftësi të kufizuara.

Shembull: Diskriminimi për këtë shkak ndodh në rastin kur, një fëmijë me aftësi të kufizuara nuk pranohet në çerdhe, kopësht ose shkollë, ose nuk i sigurohet mësuesi ndihmës, pra nuk sigurohet arsimi gjithëpërfshirës; kur mohohet përshtatja e arsyeshme (një punonjëse largohet nga puna për shkak se i kërkoi punëdhënësit fleksibilitet në orare për shkak se duhet të kujdesej për fëmijën e saj me aftësi të kufizuara, kur mungesa e një rampe i mohon të drejtën një personi në karrige me rrota që të marrë shërbimin në një qendër shëndetësore); nuk ofrohet informacion në gjuhën e shenjave për personat me vështirësi në dëgjim ose që nuk dëgjojnë, në gjuhën Brail ose në formate të përshtatura apo audio për personat me vështirësi shikimi ose plotësisht të verbër, formate të përshtatura/të thjeshtëzuara për personat me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor dhe të intelektit/zhvillimit.  

 

3. Diskriminim për shkak të gjendjes shëndetësore, është trajtimi ndryshe që i behet një personi dhe ky trajtim lidhet me gjendjen e tij shëndetësore.

Shembull: Diskriminimi për këtë shkak ndodh në rastin kur një personi i refuzohet të ndjekë arsimin për faktin se është bartës i një sëmundje, ose kur një person largohet nga puna pasi për shkak të gjendjes së tij shëndetësore është i detyruar që mungojë në punë (mbështetur  në raportet e lëshuara nga mjekët), apo kur nuk i ofrohen në kohë dhe në mënyrë efikase barnat e rimbursueshme nga shteti.

 

4. Bindja fetare mbulon shprehjen e besimit fetar ose besimin e zgjedhur nga individi përfshirë edhe mos shprehjen e besimit, të cilat mund të manifestohen privatisht ose publikisht në vende kulti, rite dhe mësime fetare.

Shembull: Diskriminimi për shkak të bindjeve fetare është rasti kur shkolla nuk lejon që një vajzë që mban shami të ndjekë arsimin me justifikimin se arsimi është laik, kur një mjek refuzon të punojë me një infermiere dhe nuk pranon që të punojnë së bashku, për shkak se ajo është praktikante e një feje të caktuar.

 

5. Vendbanimi presupozon se ushtrimi i të drejtave nuk mund të kushtëzohet ose të varet nga vendbanimi i tanishëm ose i mëparshëm i një individi. Kështu, një individ nuk mund të diskriminohet për shkak se jeton ose është regjistruar në një zonë urbane ose rurale, në një vendbanim formal ose jo, apo nëse ka një stil jetese si nomad apo sedentar. Diferencat ndërmjet rajoneve duhet të eliminohen në praktikë duke siguruar një dysheme standardesh të një shpërndarje të barabartë për të gjitha shërbimet publike.

Shembull: Diskriminim për shkak të vendbanimit, është rasti kur fëmijëve, që mësojnë në një shkollë, e cila ndodhet në një zonë të thellë rurale, i’u ofrohet arsim i një standarti inferior, si për sa i përket kushteve fizike të shkollës ashtu edhe cilësisë së mësimdhënies, ose kur një person apo grup personash, për shkak të zonës në të cilën banojnë nuk i ofrohen shërbimet publike të ujit të pijshëm nga ana e autoriteteve vendore.

 

6. Diskriminimi për shkak të gjinisë, është një nga shkaqet e diskriminimit më të përhapur në shoqëri dhe lidhet kryesisht me trajtimin ndryshe të një individi apo grupi individësh vetëm për faktin se i përkasin një gjinie të caktuar. Edhe pse diskriminimi gjinor i referohet të dy gjinive, femër dhe mashkull, në të vërtetë, në pjesën më të madhe të rasteve, diskriminimi gjinor prek gruan në të gjitha fushat e jetës. Në këtë kontekst, shkaku i gjinisë lidhet edhe me shkakun e diskriminimit prej shtatëzanisë.

Shembull: Diskriminimi gjinor kundër një gruaje do të ndodhte në qoftë se ajo refuzohet për një punë, sepse punëdhënësi mendon se mund të mbetet shtatzënë, ose përmes pagesës së një punonjësi mashkull, me një pagë më të lartë për të bërë të njëjtën punë. Diskriminimi gjinor ndaj një burri do të ndodhte nëse vetëm femra do të punësoheshin si punëtorë socialë, sepse ata ishin perceptuar të kishin më shumë ndjeshmëri, ose kur një punonjës i gjinisë mashkull i mohohet e drejta për të marrë lejen e lindjes, krahasimisht me punonjëset femra të së njëjtës kompani.

Shembull në lidhje me shtatzaninë: është rasti kur një punëmarrës, largohet nga puna gjatë lejes së lindjes ose nuk pranohet në një pozicion pune, edhe pse plotëson të gjitha kriteret e punësimit, vetëm se punëdhënësi ka informacion se punëmarrësja është shtatzënë; ose, mos marrja në punë e një gruaje sepse në të ardhmen ajo mund të jetë shtatzënë, bazuar në presupozimin se nuk do t’i përkushtohet punës aq kohë sa një burrë.

 

7. Nocioni “racë” i ka rrënjët në idenë e klasifikimit biologjik të qenieve njerëzore në nën-specie sipas tipareve morfologjike, si ngjyra e lëkurës apo karakteristikat e fytyrës. Dokumentet ligjore të BE-së dhe ato ndërkombëtare përdorin nocionin e diskriminimit racor ndërkohë që kundërshtojnë në mënyrë eksplicite nocionin e racave të veçanta njerëzore. Ndalimi i diskriminimit në bazë të origjinës racore ose etnike mund të mbulojë gjithashtu diskriminimin bazuar në ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare. Ky shkak lidhet shpesh edhe me shkakun tjetër të parashikuar që është ai i ngjyrës. Në Shqipëri, diskriminimi për shkak të racës është lidhur kryesisht me komunitetet rome dhe egjiptiane.

Shembull: “Diskriminimi për shkak të racës” ndodh në rastin kur një grup personash, në lagjen “X”, e cila banohet në shumicë nga anëtarë të komunitetit rom, nuk përfitojnë investime publike në sigurimin e ujit të pijshëm, kanalizime, ndriçim publik, etj, nga ana e autoriteteve vendore, krahasuar me pjesën tjetër të qytetit, për shkak të racës.

Shembull: Punonjësit e sigurisë të një diskoteke nuk i lejojnë klientët egjiptianë të hyjnë në lokal, me arsyetimin që nevojitet rezervim paraprak, ndërsa klientëve të tjerë të lokalit nuk i kërkohet rezervimi paraprak.

Shembull: Diskriminimi racial bëhet kur dikujt i refuzohet punësimi, marrja me qira e apartamenteve ose hyrja  në një Bar për shkak të ngjyrës së tij ose të saj.

 

8. Etnia është e lidhur me një popull a me një komb të caktuar ose me grupe shoqërore të shënjuara nga kombësi apo shtetësi e përbashkët, lidhje fisnore, besim fetar, gjuhë e përbashkët ose prejardhje kulturore dhe tradicionale. Për shkak të këtyre rrethanave personale, individë dhe grupe individësh mund të përballen me diskriminim, si në sferën private ashtu edhe atë publike, në ushtrimin e të drejtave të tyre.

Shembull: Diskriminimi për shkak të etnisë ndodh në rastin kur një person që i përket një minoriteti të caktuar në Shqipëri, nuk përzgjidhet për të ushtruar profesionin e mësueses, për shkak të etnisë dhe kjo gjë është e identifikueshme psh. nga mbiemri i aplikantes.

 

9. Gjuha: Diskriminimi për shkak të gjuhës ose dialekteve shpesh lidhet ngushtë me trajtimin e pabarabartë në bazë të origjinës kombëtare ose etnike. Barrierat gjuhësore mund të pengojnë gëzimin e shumë të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtën për pjesëmarrje në jetën kulturore, apo të drejtën për proces të rregullt ligjor. Për këtë arsye, informacionet për shërbimet dhe të mirat publike duhet të jenë, për aq sa është e mundur, në gjuhët e folura nga pakicat dhe Shtetet duhet të garantojnë që çdo kërkesë gjuhësore që lidhet me punën dhe arsimin të jetë e bazuar në kritere të arsyeshme dhe objektive.

Shembull: Diskriminimi për shkak të gjuhës mund të ndodhë në rastin kur një personi nuk i caktohet një përkthyes në gjuhën që ai kupton në procedurat gjyqësore.

 

10. Identiteti gjinor lidhet me përvojën individuale e të brendshme të ndjerë të një personi në lidhje me gjininë, e cila mund të korrespondojë ose jo me gjininë e caktuar me lindjen e tij, duke përfshirë ndjenjën personale të trupit (që mund të përfshijë, nëse zgjidhet lirisht, ndryshimin e pamjes ose funksionit trupor me anë të mjeteve mjekësore, kirurgjike ose mjeteve të tjera) dhe shprehje të tjera të gjinisë, duke përfshirë veshjen, të folurën dhe sjelljen.

 

11. Orientimi seksual nënkupton një tërheqje të vazhdueshme, emocionale dhe seksuale, ndaj personave të një seksi të caktuar. Sipas orientimit seksual, ekzistojnë personat të cilët i tërheq seksi i kundërt (personat heteroseksual), personat të cilët i tërheq seksi i njëjtë (personat homoseksual), si dhe personat të cilët i tërheqin të dy sekset (personat biseksual). Krahas këtyre orientimeve, ekzistojnë edhe personat transeksual, interseksual dhe aseksual. Për të gjithë këta persona përdoret shkurtesa e pranuar ndërkombëtarisht LGBTIQ.

Shembull: Diskriminimi për shkak të orientimit seksual lidhet me rastin kur dikush punon në një kompani normalisht, por kur për një arsye merret vesh që është homoseksual hiqet nga puna, ose kryhen veprime nga ana e punëdhënësit në mënyrë që të krijojë një ambjent shqetësues, të pasigurtë apo armiqësor që detyrojnë personin të largohet nga puna.

 

12. Gjendja ekonomike si shkak i ndaluar diskriminimi është një koncept i gjerë por kryesisht lidhet me individë, grupe individësh apo grupe shoqërorë të cilët janë në pamundësi ekonomike për të përballuar një jetesë dinjitoze dhe kjo pamundësi reflekton në shumë fusha të jetës, në pamundësi shoqërore, arsimore, intelektuale, materiale, kulturore deri dhe ekzistenciale.

Shembull: Diskriminim për shkak të gjendjes ekonomike është rasti kur një student, paçka se ka aftësi shumë të mira për të studiuar, por nuk ka mundësi ekonomike për të përballuar kostot e studimit, nuk i ofrohen mjetet e duhura nga Shteti për të vazhduar normalisht arsimin e tij.

 

13. Gjendja arsimore si shkak diskriminim, nënkupton nivelin individual të arsimimit, arritjet në arsim, aftësitë, certifikatat dhe mundësitë në lidhje me arsimin të cilat një person posedon.

Shembull: Diskriminimi për shkak te gjendjes arsimore mund të paraqitet si vendosje të kritereve për nivelin e arsimit për të aplikuar për një vend të caktuar pune, dhe të cilat nuk janë të arsyeshme dhe të arsyetuara (për shembull, kërkimi i arsimimit të lartë për vendin e punës sanitar); ose rasti kur një person ka mbaruar arsimin e lartë 4-vjeçar dhe nuk pranohet të aplikojë ose s’kualifikohet pasi shpallja parashikon arsimin 3+2; ose kur vendoset kriter punësimi arsimi i mbaruar në një universitet të caktuar, pa ndonjë arsye objektive, duke përjashtuar aplikantë që janë arsimuar në universitete tjera.

 

14. Gjendja shoqërore është baza për mbrojtje e cila lidhet me origjinën e personit, lidhshmërinë e tij me ndonjë profesion të caktuar, me statusin e tanishëm ose të mëparshëm të një të burgosuri, emigranti, të një të sëmuri në institucion psikiatrik, etj. Gjendja shoqërore i referohet dhe ndonjë tipari personal të cilin ka, ose supozohet se ka, ose me statusin në shoqëri që mund ti përkasë një grupi të caktuar shoqëror. Ky kriter mbron personat që janë të pafavorizuar për shkak të pozitës së tyre socio-ekonomike në shoqëri.

Shembull: Një person i cili më parë ka qenë i dënuar, edhe krahas posedimit të kualifikimeve të përshtatshme dhe lejes së punës, nuk punësohet vetëm për shkak të statusit të tij të mëhershëm si ish i dënuarit, paçka se ligji nuk e pengon dhe pa arsyetim për këtë; një trajtim të ndryshëm gjatë qasjes në mallra dhe shërbime, varësisht nga pamja fizike ose veshja, përmes të cilave një person lidhet me një status të caktuar shoqëror.

 

15. Mosha i referohet përjashtimit për arsyen e të qenit në një moshë të caktuar ose brenda një grupi moshe, ose të qenit i ri apo i moshuar.

Shembull: Diskriminimi për shkak të moshës, është rasti kur një person i moshës 35 vjeç, nuk lejohet të konkurojë dhe s’kualifikohet, për shkak se publikimi për vendin e punës kërkon që aplikanti të ketë moshën deri në 30 vjeç, pa ndonjë arsye objektive.

Shembull: Një punëdhënës kërkon nga një agjenci të zgjedhë vetëm aplikantët nën 30 vjeç për një punë; një bankë refuzon të japë një kartë krediti për njerëzit mbi 70 vjeç; një pronar refuzon të japë me qira banesën e tij për njerëzit nën 30 vjeç; një punonjës i refuzohet trajnimi sepse është shumë afër pensionit.

 

16. Gjendja familjare ose martesore ka të bëjë me marrëdhëniet martesore, farefisnore ose prindërore të cilat një person ka me persona tjerë. Gjendja familjare ose martesore mund të ndryshojë ndërmjet individëve, pasi ata mund të jenë të martuar ose jo, në një marrëdhënie de facto ose në një marrëdhënie që nuk e njeh ligji, të divorcuar ose të ve, jetojnë në një familje të zgjeruar ose kanë përgjegjësi të ndryshme për fëmijët dhe personat e varur ose një numër të caktuar fëmijësh. Në këtë kuptim, konsiderohet edhe shkaku i lidhur me gjendjen civile.

Shembull: Një organizatë siguron banesa për punonjësit e saj të martuar, por jo për të tjerët; ose, kur një punëdhënës bën dallimin midis grave që adoptojnë mbiemrat e burrave të tyre dhe grave që nuk e bëjnë këtë; ose, kur një punëmarrëse largohet nga puna për shkak se është kryefamiljare dhe nënë e shumë fëmijëve.

 

17. Përkatësia prindërore, nënvizon faktin se diskriminimi mund të ndodhë kundrejt një personi duke e identifikuar atë me prindërit e tij/saj, apo me statusin e prindërve të tij. Për këtë arsye dikush diskriminohet, jo për një shkak të mbartur nga ai vetë, por për një shkak që identifikohet me përkatësinë e tij prindërore. Këtu përfshihet edhe prejardhja, veçanërisht lidhur me përkatësinë në një shtresë sociale apo çdo lloj statusi të trashëguar.

Shembull: Diskriminim për shkak të përkatësisë prindërore është rasti kur një person nuk lejohet të kandidojë për një funksion publik pasi babai i tij/saj ka qenë kriminel lufte.

 

18. Përgjegjësia prindërore, lidhet me tërësinë e të drejtave dhe detyrave që kanë prindërit me qëllim që të sigurojnë mirëqenien emocionale, sociale dhe materiale të fëmijës, duke u kujdesur për të, duke mbajtur raporte vetjake me të, duke i siguruar atij mirë-rritjen, edukimin, arsimimin, përfaqësimin ligjor dhe administrimin e pasurive të tij. Ky shkak nënvizon faktin se dallimet në trajtim nuk duhen bërë ndaj fëmijëve të lindur jashtë martese, të lindur nga prindër pa shtetësi apo atyre që janë birësuar.

 

19. Predispozicioni gjenetik, është një shkak diskriminimi që lidhet me një person i cili ka të trashëguar një veçanti të dukshme apo të padukshme dhe që jo domosdoshmërisht klasifikohet si një sëmundje apo aftësi e kufizuar.

Shembull: Diskriminimi për shkak të predispozicionit gjenetik ndodh në rastin kur një person trajtohet ndryshe nga punëdhënësi ose kompania e sigurimeve sepse ka një trashëgimi gjenetike që shkakton ose rrit rrezikun e një problemi të trashëguar; ose kur dikush, trajtohet ndryshe për shkak të një problematike në të folur apo në qëndrim dhe për këtë arsye përjashtohet nga mundësia për t’u punësuar.

 

2. Termi “çdo shkak tjetër” nënvizon idenë se lista e shkaqeve nuk është shteruese pasi natyra e diskriminimit ndryshon sipas kontekstit dhe zhvillohet me kohë.

Tiranë

et-

Adresa: Rruga “Durrësit” (ish Ministria e Mjedisit), Tiranë
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Shkodër

et-

Adresa: Pranë Bashkisë Shkodër, Rr.13 Dhjetori, Nr.1
Kodi Postar: 4001
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Korçë

et-

Adresa: Pranë Bashkisë Korçë, Rr:28 Nentori, Nr.1
Kodi Postar: 7001
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Fier

et-

Adresa: ADISA Lagjia 11 Janari, “Shtëpia e Ushtarakëve”
Kodi Postar: 9301
Tel: + 355 4 243 1078
E-mail: info@kmd.al

Rreth Nesh

Veprimtaria e Komisionerit realizohet nëpërmjet shqyrtimit të ankesave të subjekteve që pretendojnë se janë viktima të sjelljeve diskriminuese apo që e nxisin atë, jo vetëm nga  administrata publike, por edhe nga subjektet private.

Shkarkoni Aplikacionin

Shkarko aplikacionin për versionin IOS

 Shkarko aplikacionin për versionin ANDROID