Zyra Rajonale Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Fier zhvilloi një bashkëbisedim të hapur për informim dhe ndërgjegjësim pranë Qendrës Ditore për të Moshuarit “Kafe me Gjyshin”, në Bashkinë Roskovec.
Në takim morën pjesë të moshuar që frekuentojnë Qendrën Ditore, përfaqësues të Ndihmës Juridike Falas dhe stafi i Qendrës. Gjatë bashkëbisedimit u prezantuan të drejtat e garantuara nga legjislacioni kundër diskriminimit, roli dhe kompetencat e KMD-së, si dhe mënyrat për adresimin e rasteve të pretenduara të diskriminimit.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua problematikave konkrete që të moshuarit hasin në marrëdhëniet me institucionet dhe në aksesin në shërbimet publike. Ndër shqetësimet e ngritura u evidentuan vështirësitë në procedurat që lidhen me çështjet e pronësisë dhe marrjen e shërbimeve pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Pjesëmarrësit u orientuan mbi rrugët institucionale që mund të ndjekin dhe mundësitë për të përfituar ndihmë juridike falas. Gjithashtu, u informuan se kur pretendojnë trajtim të pabarabartë të lidhur me një nga shkaqet e mbrojtura nga legjislacioni kundër diskriminimit, mund t’i drejtohen KMD-së për shqyrtimin e rastit.
Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi të hapur, duke u dhënë të moshuarve mundësinë të njihen më mirë me të drejtat dhe mekanizmat e mbrojtjes, si dhe të ndajnë drejtpërdrejt shqetësimet dhe problematikat që hasin.

