Turi kombëtar i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, “Udhëtimi në Shqipëri” shkoi sot në Mallakastër, për një takim të hapur me qytetarët e kësaj zone, përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe aktorëve lokalë, për të diskutuar mbi barazinë në marrëdhëniet e punës, problematikat që lidhen me trajtimin e pabarabartë në punësim si dhe format e mbrojtjes nga diskriminimi që mundëson ligji.
Në fjalën e saj, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi znj. Genta Tafa (Bungo) ftoi të pranishmit në një bashkëbisedim të hapur për të folur mbi rastet apo vështirësitë që ata ndeshin çdo ditë, me qëllim identifikimin në praktikë të problematikave dhe informimin e qytetarëve mbi mekanizmat ligjorë të mbrojtjes që mund të ofrojë Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
“Diskriminimi në marrëdhëniet e punës shfaqet në forma të ndryshme, nga kriteret diskriminuese të punësimit dhe trajtimi i pabarabartë, te diskriminimi gjinor, ngacmimi në vendin e punës nga drejtuesit apo kolegët dhe zgjidhja e marrëdhënieve të punës për shkaqe diskriminuese. Parandalimi dhe adresimi i këtyre praktikave janë thelbësore për garantimin e barazisë dhe respektimin e dinjitetit të çdo punonjësi”, theksoi Komisionerja.
Nga ana e tyre, qytetarët e pranishëm në këtë takim morën një rol aktiv duke paraqitur shqetësimet e tyre konkrete mbi vështirësitë e personave me aftësi të kufizuara dhe kategorive të tjera, ku ndër të tjera përmendën pretendimin për mosmarrjen e indeksimit të pagesës së invaliditetit nga personat e verbër në zonën e Mallakastrës, nevojën për sigurimin e një zyre për organizatën e të verbërve në Ballsh, si dhe kërkesën për shtimin e zyrave rajonale të Komisionerit. Ndërkohë nxënësit e shkollës së mesme “Dervish Hekali” në Ballsh shfaqën interes për veprimtarinë e institucionit dhe ecurinë e numrit të ankesave si dhe kërkuan zhvillimin e më shumë fushatave sensibilizuese nëpër shkolla.
Ekipi drejtues i Komisionerit informoi pjesëmarrësit mbi mbrojtjen që ofron legjislacioni kundër diskriminimit, mënyrat e identifikimit dhe të raportimit të rasteve, si dhe procedurat për t’iu drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. U theksua gjithashtu rëndësia e mbrojtjes nga viktimizimi, për të garantuar që qytetarët të mund të denoncojnë rastet e diskriminimit pa frikën e pasojave negative.
Pas zhvillimit të 6 takimeve që kësaj iniciative, nisma “Udhëtimi në Shqipëri”, e mbështetur edhe nga projekti PACEP II i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, do të vijojë ndalesat edhe në qytetin e Librazhit, Kolonjës, Përmetit dhe Mirëditës.

