Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), me synim forcimin e bashkëpunimit institucional për mbrojtjen e të drejtave të migrantëve dhe personave në situata vulnerabiliteti.
Gjatë takimit u diskutua mbi garantimin e barazisë dhe mosdiskriminimit ndaj migrantëve, me fokus të veçantë aksesin e barabartë në punësim, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera publike, si dhe parandalimin e çdo forme diskriminimi, ksenofobie apo përjashtimi social.
Duke marrë në konsideratë rritjen e numrit të migrantëve që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, u theksua nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional, me qëllim identifikimin dhe adresimin në kohë të sfidave që ata mund të hasin në ushtrimin e të drejtave të tyre.
Palët shkëmbyen pikëpamje mbi mundësitë për zhvillimin e nismave të përbashkëta, forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe promovimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku të drejtat garantohen për të gjithë, pavarësisht origjinës apo statusit migrator.
