Lajme

DEKLARATË PËR MEDIAT

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh shqetësim të thellë për rastin e bërë publik në media, ku një fëmijë 2-vjeçar ka qenë viktimë e dhunës fizike në një institucion parashkollor.

Çdo formë dhune ndaj fëmijëve cenon dinjitetin njerëzor dhe të drejtën e tyre për t’u rritur në një mjedis të sigurt, të mbrojtur dhe të respektueshëm. Fëmijët përbëjnë një nga grupet më të pambrojtura të shoqërisë dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë sipas legjislacionit kombëtar dhe instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Komisioneri thekson se institucionet që ofrojnë shërbime për fëmijët mbajnë një përgjegjësi të veçantë për garantimin e integritetit fizik dhe psikologjik të tyre, si dhe për krijimin e një mjedisi të sigurt, pa dhunë dhe pa asnjë formë trajtimi degradues.

Komisioneri vlerëson se raste të tilla duhet të trajtohen me seriozitet të plotë nga organet kompetente, në përputhje me ligjin dhe duke vendosur në qendër interesin më të lartë të fëmijës.

Dhuna ndaj fëmijëve nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. Mbrojtja e dinjitetit, integritetit dhe të drejtave të çdo fëmije është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe e gjithë shoqërisë.