Lajme

Bashkëpunim ndërinstitucional për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në Lushnjë

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe lehtësimit të aksesit të qytetarëve te drejtësia, Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Fier zhvilloi një takim pune me përfaqësuesen e re të Qendrës së Ndihmës Juridike Falas në Lushnjë dhe Kryetarin e Shoqatës së Invalidëve të Punës Lushnjë.

Fokusi kryesor i këtij takimi ishte koordinimi i institucioneve për identifikimin dhe adresimin me efikasitet të problematikave që hasin qytetarët e zonës së Lushnjes për rastet e mundshme të diskriminimit dhe orientimin e tyre drejt institucioneve kompetente.

Gjatë takimit u prezantua misioni, kompetencat dhe detyrat e KMD-së, duke u ndalur në kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e institucionit, procedurat për paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesave, format e mbrojtjes që ofrohen ndaj viktimave të diskriminimit, si dhe rëndësia e informimit të qytetarëve mbi mjetet ligjore që kanë në dispozicion.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi mbetet i angazhuar për të forcuar praninë në terren dhe për të garantuar mbrojtje të barabartë ligjore për të gjitha grupet sociale.