Lajme

KMSHC dhe KMD diskutojnë mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional

Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, znj. Lefterije Lleshi (Luzi), u prit në një takim pune nga Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo).

Znj. Luzi i përcolli urimet e saj znj. Bungo për marrjen e detyrës së Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke i uruar suksese në ushtrimin e këtij funksioni me rëndësi për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi rëndësinë e respektimit të parimeve të barazisë, mosdiskriminimit dhe meritokracisë në shërbimin civil.

Bashkëbisedimi u fokusua gjithashtu edhe në shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim në çështje me interes të përbashkët, në mbështetje të një administrate publike profesionale, të paanshme dhe gjithëpërfshirëse.