Lajme

“Dita Ndërkombëtare të Egjiptianëve të Ballkanit”, Zyra Rajonale në Fier zhvillon aktivitetin “Qasja në Shërbime Publike dhe Drejtësi Sociale” në Grabian

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Egjiptianëve të Ballkanit, Zyra Rajonale Fier e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi zhvilloi aktivitetin “Qasja në Shërbime Publike dhe Drejtësi Sociale” në Njësinë Administrative Grabian, Bashkia Lushnjë.

Aktiviteti, i organizuar në një zonë me prani të konsiderueshme të komunitetit egjiptian, synoi afrimin e institucionit me qytetarët, prezantimin e shërbimeve të Zyrës Rajonale Fier dhe informimin mbi të drejtat themelore, si dhe mekanizmat ligjorë për mbrojtjen nga diskriminimi.

Përmes një pike të lëvizshme informimi, qytetarët u njohën me procedurat e paraqitjes së ankesave pranë KMD-së dhe morën materiale informuese mbi të drejtat e tyre.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët dhe përfaqësuesit institucionalë u diskutuan sfidat konkrete që hasin komunitetet rom dhe egjiptian në aksesin në shërbimet publike, me fokus të veçantë në përfitimin e ndihmës ekonomike dhe zbatimin e skemës së bursave për nxënësit.

Aktiviteti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e të drejtave të njeriut dhe forcimin e besimit të qytetarëve te KMD-ja si institucion garant i barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Avokatit të Popullit, Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, Njësisë Administrative Grabian, si dhe anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian.