Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe shoqata “Together for Life”, në kuadër të projektit VIOLET, organizuan workshopin “Analizë e kuadrit ligjor dhe praktikës gjyqësore për ngacmimin seksual në vendin e punës”.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të sistemit të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë të të drejtave të njeriut, të cilët diskutuan sfidat që lidhen me identifikimin, raportimin dhe trajtimin e rasteve të ngacmimit seksual në vendin e punës, si dhe mekanizmat për mbrojtjen efektive të viktimave.
Gjatë workshopit u prezantuan gjetjet e analizës mbi kuadrin ligjor dhe praktikën gjyqësore shqiptare për periudhën 2015–2024, ndërsa përfaqësues të sistemit të drejtësisë ndanë përvoja dhe perspektiva profesionale mbi adresimin e këtij fenomeni.
Projekti VIOLET synon të kontribuojë në krijimin e mjediseve të punës të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të lira nga ngacmimi seksual dhe dhuna, përmes forcimit të kapaciteteve institucionale, promovimit të mekanizmave efektivë të mbrojtjes dhe rritjes së ndërgjegjësimit.

