Përfaqësuesi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Shëndetit Mendor, zhvilluar online më 14 shtator nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në fokus të mbledhjes ishte procesi i nisur nga Këshilli i Evropës për hartimin e Projekt-Protokollit Shtesë të Konventës për të Drejtat e Njeriut dhe Biomjekësinë, Konventa e Oviedos, i cili trajton mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të personave në lidhje me vendosjen dhe trajtimin e pavullnetshëm në shërbimet e shëndetit mendor.
Gjatë diskutimeve u trajtuan implikimet që ky dokument mund të ketë për sistemin shqiptar të shëndetit mendor, mbrojtjen sociale dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Komiteti shqyrtoi çështjen në funksion të dhënies së mendimeve dhe rekomandimeve për formulimin e një qëndrimi institucional të konsultuar dhe të argumentuar.

