Përfaqësuesja e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi morën pjesë në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të FUTURE2TECH 2026, ku iSIGURT.al (Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri), së bashku me CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ALO 116 111, sollën në vëmendje sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në epokën digjitale.
Në kuadër të panairit u zhvillua edhe podkasti live mbi gjuhën e urrejtjes, pjesë e fushatës ndërgjegjësuese të KMD-së, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit.
Diskutimi u përqendrua te gjuha e urrejtjes online, mekanizmat e mbrojtjes dhe mënyrat e raportimit, me vëmendje të veçantë ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Përfaqësuesit e KMD-së informuan mbi rolin e institucionit në mbrojtjen nga diskriminimi dhe mbi mundësinë që qytetarët t’i drejtohen Komisionerit përmes ankesës kur përballen me sjellje diskriminuese.
Mesazhi i përcjellë ishte i qartë: hapësira digjitale duhet të jetë një mjedis i sigurt, ku respektohen dinjiteti dhe të drejtat e çdo individi. Njohja e të drejtave, refuzimi i gjuhës së urrejtjes dhe raportimi i saj janë pjesë e përgjegjësisë së përbashkët për një internet më të sigurt, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

