Nisma “Udhëtimi në Shqipëri” e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi vijon rrugëtimin në dy qytete të qarkut të Dibrës, në Bulqizë dhe Klos, duke e sjellë institucionin më pranë qytetarëve dhe problematikave që ata hasin në jetën e përditshme.
Më 5 tetor 2026, KMD do të zhvillojë dy takime të hapura, në Bulqizë dhe Klos, me qytetarë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe organizatave të shoqërisë civile. Në fokus do të jenë trajtimi i barabartë, mbrojtja nga diskriminimi dhe aksesi pa barriera në punësim, mbrojtje sociale dhe shërbime publike.
Bulqizë | Ora 11:00–13:00
Takimi me temë “Barazia në punësim dhe mbrojtja sociale” do të fokusohet te diskriminimi në rekrutim dhe në marrëdhëniet e punës, gjendja ekonomike si shkak diskriminimi, aksesi në ndihmën ekonomike dhe shërbimet sociale, trajtimi i barabartë në shërbimet shëndetësore dhe mbrojtja nga viktimizimi pas ankimit.
Klos | Ora 14:00–16:00
Me temën “Shërbime publike pa diskriminim”, takimi do të krijojë një hapësirë dialogu mbi standardet e trajtimit të barabartë në ofrimin e shërbimeve publike, barrierat administrative dhe procedurale, komunikimin e institucioneve me qytetarët dhe trajtimin e personave në situata vulnerabiliteti.
Përmes këtyre ndalesave, KMD synon të dëgjojë drejtpërdrejt qytetarët, të evidentojë barrierat dhe problematikat në nivel vendor dhe të informojë komunitetet mbi të drejtat dhe mekanizmat që kanë në dispozicion për t’u mbrojtur nga diskriminimi.

