Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Fier zhvilloi një takim informues pranë Shoqatës së Tetra-Paraplegjikëve në Vlorë, me pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara, përfaqësuesve të Shoqatës dhe Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit Vlorë.
Në fokus të takimit ishte aksesueshmëria si kusht i domosdoshëm për garantimin e barazisë, përfshirjes dhe përfitimit të shërbimeve në kushte të barabarta.
Gjatë diskutimit të hapur, pjesëmarrësit evidentuan problematikat konkrete që hasin në përditshmëri, veçanërisht në stacionet e autobusëve dhe transportin publik, aksesin në shërbimet bankare, si dhe përshtatshmërinë e ambienteve dhe shërbimeve shëndetësore.
Përfaqësuesja e KMD-së informoi të pranishmit mbi të drejtat që legjislacioni kundër diskriminimit u garanton personave me aftësi të kufizuara, mekanizmat për adresimin e rasteve pranë KMD-së, si dhe masat dhe rekomandimet e ndërmarra nga institucioni për evidentimin dhe eliminimin e barrierave të aksesueshmërisë.
Takimi krijoi një hapësirë të drejtpërdrejtë dialogu për të dëgjuar problematikat në nivel vendor dhe për të orientuar qytetarët mbi mekanizmat që kanë në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

