Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo), priti sot në një takim institucional Avokatin e Popullit të Republikës së Kosovës, z. Naim Qelaj në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Takimi i zhvilluar gjatë ditës së sotme shërbeu si një mundësi për të riafirmuar marrëdhëniet e bashkëpunimit institucional dhe angazhimin e përbashkët për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, parandalimin e diskriminimit dhe garantimin e trajtimit të barabartë.
Gjatë bashkëbisedimit u vlerësua rëndësia e vijimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, në kuadër të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira sipas standardeve të Bashkimit Europian në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Të dy drejtuesit shprehën gatishmërinë për zhvillimin e projekteve dhe nismave të përbashkëta, me fokus adresimin e sfidave të përbashkëta, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe forcimin e mekanizmave të mbrojtjes nga diskriminimi, në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve.

