Në kuadër të bashkëpunimit institucional dhe transparencës, specialisti i Zyrës Rajonale të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shkodër mori pjesë në takimin me Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku prezantoi veprimtarinë, funksionimin institucional, kompetencat ligjore dhe sfidat kryesore të kësaj strukture.
Gjatë prezantimit u evidentua puna për ndërgjegjësimin e komunitetit mbi barazinë dhe mbrojtjen nga diskriminimi, ofrimin e ndihmës teknike e juridike për qytetarët, asistimin në plotësimin e formularëve të ankesave pranë KMD-së dhe orientimin mbi procedurat e shqyrtimit administrativ.
U theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit me institucionet vendore, organet e zbatimit të ligjit dhe organizatat e shoqërisë civile për evidentimin e rasteve të mundshme të diskriminimit. Përmes rasteve praktike, u prezantuan rezultatet e ndërhyrjes së Komisionerit në rivendosjen e të drejtave të qytetarëve në punësim, arsim, shërbime publike dhe mbrojtje sociale.
Në diskutimin me deputetët u paraqitën nevojat për forcimin e kapaciteteve njerëzore e logjistike, në raport me shtrirjen e gjerë gjeografike dhe kërkesat në rritje. U nënvizua edhe rëndësia e shtimit të pranisë fizike në bashkitë e tjera të Veriut, përtej Shkodrës, për të lehtësuar aksesin në shërbime për grupet në nevojë dhe komunitetet e margjinalizuara.

