Në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Vajzave”, Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shkodër zhvilloi një aktivitet informues dhe ndërgjegjësues në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Nikollë Zogorjani” në Velipojë, me pjesëmarrjen e nxënëseve dhe mësueseve të shkollës.
Takimi u fokusua te fuqizimi i vajzave, promovimi i barazisë gjinore dhe mbrojtja nga diskriminimi. Gjatë bashkëbisedimit u diskutua mbi stereotipat gjinore, rolin e arsimit në kapërcimin e tyre dhe rëndësinë e raportimit të çdo forme të trajtimit të pabarabartë.
Pjesëmarrëset u njohën gjithashtu me kuadrin ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi, rolin dhe kompetencat e KMD-së, si dhe mekanizmat e ankimit dhe mbështetjen që ofron Zyra Rajonale.
Aktiviteti theksoi rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit të vazhdueshëm të të rinjve për parandalimin e diskriminimit dhe garantimin e mundësive të barabarta për të gjithë.

