Lajme

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi merr pjesë në Mbledhjen Vjetore të Equinet për prioritetet dhe bashkëpunimin në mbrojtjen e barazisë

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo) mori pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore të Equinet, Rrjetit Europian të Organeve të Barazisë, të zhvilluar më 14 tetor 2026 në Bruksel, në të cilën u shqyrtua dhe u votua Plani Strategjik i Equinet për periudhën 2027–2030 dhe Plani i Punës për vitin 2027.

Në mbledhjen e sotme, një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të organeve të barazisë në mbrojtjen e demokracisë ku përfaqësuesit e Komisionit Europian, Parlamentit Europian, Forumit Europian të Aftësisë së Kufizuar dhe institucioneve homologe, diskutuan sfidat e mbrojtjes së barazisë dhe mundësitë për bashkëpunim.

Pjesëmarrja e KMD-së në këtë mbledhje shërbeu për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit me organet europiane të barazisë. Ky bashkëpunim mbështet veprimtarinë e institucionit në trajtimin e ankesave, ndërgjegjësimin e publikut dhe adresimin e pengesave për trajtimin e barabartë në punësim, arsim dhe shërbime.