Lajme

DEKLARATË E KOMISIONERIT PËR MBROJTJEN NGA DISKRIMINIMI

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh shqetësimin për incidentet e dhunshme të raportuara gjatë protestës dhe dënon çdo akt dhune ndaj qytetarëve, punonjësve të policisë dhe përfaqësuesve të medias.

E drejta për të protestuar paqësisht dhe për të shprehur mendimin lirshëm është një e drejtë themelore që duhet garantuar dhe respektuar. Ushtrimi i saj kërkon mbrojtjen e sigurisë dhe dinjitetit të çdo personi. Sulmet ndaj punonjësve të policisë, dëmtimi i pronës dhe veprimet që rrezikojnë jetën e shëndetin e të tjerëve janë të papranueshme.

Njëkohësisht, Komisioneri thekson se ndërhyrja e forcave të rendit duhet të respektojë ligjshmërinë, domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin. Çdo person, përfshirë personat e shoqëruar apo të ndaluar, duhet të trajtohet me dinjitet, pa diskriminim dhe pa trajtim poshtërues. Pjesëmarrja në protestë apo bindjet politike nuk mund të shërbejnë si shkak për cenimin e të drejtave të askujt.

Komisioneri u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse të verifikojnë në mënyrë të paanshme çdo incident të raportuar dhe çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës, duke garantuar përgjegjësinë individuale dhe respektimin e të drejtave procedurale.

U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve dhe institucioneve të kontribuojnë në uljen e tensioneve, shmangien e dhunës dhe ruajtjen e dialogut. Shprehim solidaritet me të gjithë personat e lënduar dhe u urojmë shërim të shpejtë.

Respektimi i dinjitetit njerëzor, barazisë dhe të drejtave themelore duhet të mbetet në qendër të çdo veprimi.