Lajme

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi në konferencën kombëtare për barazinë para ligjit të personave me aftësi të kufizuara

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo), mori pjesë në konferencën kombëtare “Barazia para ligjit dhe aksesi në drejtësi për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri: Nga garancitë ligjore te zbatimi në praktikë”.

Konferenca u organizua nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK), në bashkëpunim me Doën Syndrome Albania dhe ANAD-SHKSHNJND, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, sistemit të drejtësisë dhe organizatave të shoqërisë civile.

Në këtë konferencë kombëtare, Komisionerja znj. Genta Tafa (Bungo) mori pjesë në diskutimet mbi temën “Barazia para ligjit: Nga kapaciteti juridik te vendimmarrja e mbështetur”, ku në fokus të diskutimeve ishin zbatimi i nenit 12 të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, njohja e barabartë e kapacitetit juridik, kalimi nga modelet e vendimmarrjes zëvendësuese drejt vendimmarrjes së mbështetur, si dhe reformat e nevojshme ligjore dhe institucionale.

Komisionerja vlerëson se garantimi i barazisë para ligjit dhe aksesit efektiv në drejtësi për personat me aftësi të kufizuara kërkon respektimin e të drejtës së çdo individi për të vendosur vetë për çështjet që lidhen me jetën e tij, si dhe eliminimin e barrierave diskriminuese. Në këtë kuadër, në prill të këtij viti, KMD ka rekomanduar rishikimin e kuadrit ligjor në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe mbetet i angazhuar për të ndjekur zbatimin e rekomandimeve, për të kontribuar në përmirësimin e legjislacionit dhe për të shqyrtuar rastet e pretenduara të diskriminimit, përfshirë mohimin e së drejtës për të vendosur vetë apo të përshtatjes së arsyeshme.

Pjesëmarrja e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në këtë konferencë vjen në kuadër të angazhimit institucional për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara nga diskriminimi, garantimin e trajtimit të barabartë dhe promovimin e ushtrimit efektiv të të drejtave të tyre.