Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka publikuar raportin e monitorimit mbi përfitimin e bursave nga nxënësit e arsimit parauniversitar publik, duke evidentuar problematika në administrimin e skemës, diferenca ndërmjet bashkive dhe pengesa në garantimin e aksesit të barabartë në mbështetjen financiare për arsimimin.
Monitorimi përfshin vitet shkollore 2022–2023, 2023–2024 dhe 2024–2025 dhe është shtrirë në të 61 bashkitë e vendit, nga të cilat 56 kanë përcjellë informacion. Analiza evidenton mungesë të procedurave të standardizuara, mospërputhje ndërmjet aplikimeve dhe bursave të dhëna, si dhe zbatim jo të njëtrajtshëm të kritereve të përfitimit.
Nga 61 ankesa të paraqitura pranë KMD-së gjatë viteve 2024–2025 për mospërfitimin e bursave shkollore, në 42 raste është konstatuar diskriminim. Shqyrtimi i ankesave ka evidentuar pengesa administrative, kërkesa për dokumentacion të panevojshëm dhe interpretime të ndryshme të kritereve ligjore.
Monitorimi evidenton gjithashtu mungesë të të dhënave për kategoritë vulnerabël, ku vetëm 2 nga 61 bashki kanë raportuar informacion për nxënësit përfitues romë dhe egjiptianë. Ndërkohë, 17 bashki kanë raportuar përdorimin e fondeve të veta për financimin e bursave.
Në përfundim të këtij raporti monitorimi, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi i rekomandon Ministrisë së Arsimit dhe bashkive përmirësimin e planifikimit dhe shpërndarjes së kuotave, standardizimin e procedurave, shmangien e pengesave administrative dhe rishikimin e kritereve të përfitimit për nxënësit e familjeve në nevojë, me qëllim garantimin e vijueshmërisë së shkollimit dhe parandalimin e braktisjes shkollore.
Komisioneri do të vijojë ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve, me synim garantimin e një skeme bursash transparente, të aksesueshme dhe të njëtrajtshme, që siguron mundësi të barabarta për nxënësit që plotësojnë kriteret e përfitimit.

