Lajme

“Jo bullizmit, po barazisë!” – KMD Fier bashkëbisedon me të rinjtë për një shkollë pa diskriminim

Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Fier, në bashkëpunim me Qendrën Rinore “Epoka e Re”, zhvilloi një aktivitet ndërgjegjësues për parandalimin e bullizmit dhe diskriminimit në mjediset shkollore.

Në takim morën pjesë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve, psikologë dhe përfaqësues të institucioneve, të cilët diskutuan mbi situata konkrete të bullizmit, përjashtimit social, paragjykimeve dhe trajtimit të pabarabartë mes bashkëmoshatarëve.

Përmes një bashkëbisedimi të hapur, nxënësit u informuan mbi mënyrat e identifikimit dhe raportimit të rasteve të diskriminimit, si dhe mbi rolin dhe kompetencat e KMD-së në mbrojtjen e të drejtës për barazi. Aktiviteti synoi të nxisë respektimin e diversitetit, tolerancën dhe krijimin e një mjedisi shkollor gjithëpërfshirës dhe pa diskriminim.

Ky aktivitet kontribuon në fuqizimin e ndërgjegjësimit të të rinjve për të drejtat e tyre, duke i nxitur të mos qëndrojnë indiferentë ndaj bullizmit dhe diskriminimit, por të bëhen pjesë aktive e promovimit të barazisë dhe respektit në komunitetin shkollor.