Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo), priti në një takim pune përfaqësuesit e Institutit të Statistikave (INSTAT), për të diskutuar mbi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për identifikimin e të dhënave mbi diskriminimin në Shqipëri.
Në fokus të diskutimeve ishte zhvillimi i indikatorëve për matjen e diskriminimit, të cilët do të mundësonin evidentimin dhe analizimin më të saktë të pabarazive, mbështetur në të dhëna statistikore, duke kontribuar në orientimin e masave konkrete për mbrojtjen nga diskriminimi.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua mundësia e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, me qëllim forcimin e koordinimit, shkëmbimin e informacionit dhe zhvillimin e nismave të përbashkëta në këtë fushë.
Bashkëpunimi ndërmjet KMD-së dhe INSTAT-it synon të kontribuojë në përmirësimin e mekanizmave të monitorimit dhe parandalimit të diskriminimit, si dhe në hartimin e politikave më efektive për garantimin e barazisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.

