Në kuadër të angazhimit institucional për informimin dhe sensibilizimin e subjekteve mbi të drejtat e punonjësve dhe mbrojtjen nga diskriminimi në punësim, Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Korçë zhvilloi një takim me punonjësit dhe përfaqësuesit e subjektit privat “DOLFI’HOUSE”, në Bashkinë Maliq.
Gjatë këtij takimi u prezantua kuadri ligjor, roli dhe kompetencat e Komisionerit, si dhe mundësitë që kanë qytetarët dhe punëmarrësit për të kërkuar mbrojtje dhe trajtim të barabartë.
Takimi u zhvillua në një frymë të hapur dhe bashkëpunuese, ku përmes diskutimeve interaktive u trajtuan situata konkrete nga mjedisi i punës dhe rëndësia e krijimit të një kulture organizative të bazuar në respekt, dinjitet, barazi dhe gjithëpërfshirje.
Bashkëpunimi me sipërmarrjen private është një pjesë e rëndësishme e misionit të Komisionerit për të promovuar praktika të mira, për të rritur ndërgjegjësimin mbi të drejtat e çdo individi dhe për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie ku çdo person gëzon mundësi të barabarta, pa diskriminim.
