Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shkodër zhvilloi një takim informues me të moshuarit pranë Qendrës së të Moshuarve të Kryqit të Kuq, Dega Lezhë, me fokus njohjen e të drejtave dhe garantimin e trajtimit të barabartë.
Gjatë takimit u prezantua kuadri ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi, roli dhe kompetencat e Komisionerit, si dhe mënyrat e paraqitjes së ankesave dhe përfitimit të orientimit juridik falas pranë zyrës rajonale.
Në qendër të bashkëbisedimit ishin shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballen të moshuarit, veçanërisht çështjet që lidhen me pensionet, mbrojtjen sociale, strehimin social dhe aksesin në shërbimet publike. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe vështirësive në përdorimin e shërbimeve digjitale dhe nevojës për lehtësimin e procedurave, me qëllim garantimin e aksesit të barabartë për këtë grupmoshë.
Aktiviteti synoi rritjen e ndërgjegjësimit të të moshuarve mbi të drejtat e tyre dhe forcimin e komunikimit të drejtpërdrejtë me institucionin, në funksion të mbrojtjes nga diskriminimi dhe garantimit të trajtimit të barabartë.

