Me rastin e 1 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Korçë zhvilloi në Devoll një takim me të moshuarit e komunitetit, për të dëgjuar nga afër shqetësimet, nevojat dhe sfidat me të cilat ata përballen në jetën e përditshme.
Takimi, i organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimit Social të Bashkisë Devoll dhe me pjesëmarrjen e Zyrës së Avokatit të Popullit dhe Shërbimit të Ndihmës Juridike Falas Korçë, u zhvillua në formën e një hapsire të hapur diskutimi.
Në fokus të bisedave ishin lehtësimi i procedurave administrative, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale, rimbursimi i medikamenteve, shtimi i qendrave ditore, si dhe përfshirja më aktive e të moshuarve në jetën dhe vendimmarrjen e komunitetit.
Përfaqësuesja e Komisionerit në Korccë informoi të pranishmit mbi mbrojtjen nga diskriminimi për shkak të moshës si dhe mënyrën e paraqitjes së një ankese pranë KMD-së.
Aktivitetit iu bashkuan edhe nxënës të shkollës së mesme “Fuat Babani”, të cilët përmes poezive kushtuar vlerave, urtësisë dhe respektit ndaj të moshuarve përcollën një mesazh të bukur solidariteti ndërmjet brezave.

