Në kuadër të 1 Tetorit – Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, Zyra Rajonale Fier e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi organizoi një ditë të hapur me të moshuar, me fokus mbrojtjen nga diskriminimi për shkak të moshës, aksesin në shërbime dhe evidentimin e problematikave që ata hasin në jetën e përditshme.
Gjatë bashkëbisedimit të hapur, të moshuarit ngritën shqetësime konkrete që lidhen veçanërisht me aksesin dhe përfitimin e shërbimeve shëndetësore, nevojën për më shumë shërbime sociale të dedikuara për moshën e tretë, si dhe mungesën e një qendre komunitare për të moshuarit në Fier.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të shërbimit social dhe Qendrës së Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Falas Fier. Problematikat e evidentuara do të mbahen në vëmendje nga Zyra Rajonale Fier, në kuadër të kompetencave të saj dhe komunikimit me institucionet përgjegjëse.
Po në këtë ditë, Zyra Rajonale Fier mori pjesë edhe në aktivitetin e zhvilluar pranë Rezidencës së të Moshuarve në Fier, duke krijuar një tjetër hapësirë komunikimi me të moshuarit dhe bashkëpunimi me aktorët vendorë.
Këto aktivitete synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për mbrojtjen nga diskriminimi me bazë moshën, të sjellin në vëmendje nevojat e të moshuarve dhe të forcojnë bashkëpunimin institucional për garantimin e të drejtave dhe trajtimit të barabartë të tyre.

