Lajme

Zyra Rajonale në Fier, takim ndërgjegjësues për barazinë gjinore dhe sfidat e vajzave në tregun e punës

Paragjykimet gjinore në zgjedhjen e profesionit, sfidat që hasin vajzat në tregun e punës dhe rëndësia e garantimit të mundësive të barabarta ishin në fokus të takimit informues të zhvilluar nga Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Fier, pranë Qendrës së Formimit Profesional Publik në po këtë qytet.

Aktiviteti i organizuar në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Vajzave”, u organizua në formën e një bashkëbisedimi midis vajzave që ndjekin kurset e formimit professional me përfaqësuesit e Zyrës Rajonale të Komisionerit në FIer dhe të Ndihmës Juridike Falas.

Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan format e diskriminimit në rekrutim dhe marrëdhëniet e punës, duke përfshirë pabarazinë në paga, refuzimin e punësimit për shkak të gjinisë apo përgjegjësive familjare, si dhe ngacmimet që cënojnë dinjitetin në mjediset e punës. Gjithashtu u theksua rëndësia e vlerësimit të individit mbi bazën e aftësive dhe kualifikimeve, pa paragjykime gjinore.

Vëmendje e veçantë iu kushtua pengesave shtesë që hasin vajzat nga komunitetet rome dhe egjiptiane, vajzat me aftësi të kufizuara dhe ato në kushte të vështira ekonomiko-sociale. Përmes shembujve praktikë, pjesëmarrëset u njohën me dallimin ndërmjet paragjykimit dhe diskriminimit në kuptimin ligjor, si dhe me mekanizmat institucionalë për adresimin e rasteve të diskriminimit.

Takimi shërbeu si një hapësirë informimi dhe ndërgjegjësimi për fuqizimin e vajzave, njohjen e të drejtave të tyre dhe promovimin e një mjedisi profesional gjithëpërfshirës, ku mundësitë për formim, punësim dhe zhvillim në karrierë garantohen pa diskriminim.