Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Egjiptianëve të Ballkanit, Zyra Rajonale Fier e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi zhvilloi aktivitetin “Qasja në Shërbime Publike dhe Drejtësi Sociale” në Njësinë Administrative Grabian, Bashkia Lushnjë.
Aktiviteti, i organizuar në një zonë me prani të konsiderueshme të komunitetit egjiptian, synoi afrimin e institucionit me qytetarët, prezantimin e shërbimeve të Zyrës Rajonale Fier dhe informimin mbi të drejtat themelore, si dhe mekanizmat ligjorë për mbrojtjen nga diskriminimi.
Përmes një pike të lëvizshme informimi, qytetarët u njohën me procedurat e paraqitjes së ankesave pranë KMD-së dhe morën materiale informuese mbi të drejtat e tyre.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët dhe përfaqësuesit institucionalë u diskutuan sfidat konkrete që hasin komunitetet rom dhe egjiptian në aksesin në shërbimet publike, me fokus të veçantë në përfitimin e ndihmës ekonomike dhe zbatimin e skemës së bursave për nxënësit.
Aktiviteti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e të drejtave të njeriut dhe forcimin e besimit të qytetarëve te KMD-ja si institucion garant i barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Avokatit të Popullit, Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, Njësisë Administrative Grabian, si dhe anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian.
