Lajme

“Udhëtimi në Shqipëri” ndalet në Librazhd: Dialog i hapur për barazinë dhe mundësitë e barabarta për gratë dhe vajzat

Në kuadër të nismës “Udhëtimi në Shqipëri”, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi do të zhvillojë më 20 Tetor 2026, në Librazhd, një takim të hapur me temë “Gratë dhe vajzat – Barazia dhe mundësitë e barabarta”.

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo), së bashku me ekipin drejtues të institucionit, do të takohet drejtpërdrejt me qytetarë, përfaqësues të institucioneve vendore, organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve në situata vulnerabiliteti.

Në fokus të bashkëbisedimit do të jenë diskriminimi për shkak të gjinisë, diskriminimi i shumëfishtë, barazia në punësim dhe mundësitë ekonomike, si dhe mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për mbrojtjen nga diskriminimi.

Përmes këtij dialogu të drejtpërdrejtë, KMD synon të dëgjojë nga afër shqetësimet dhe përvojat e qytetarëve, të identifikojë problematikat dhe të nxisë bashkëpunimin me aktorët vendorë për promovimin e barazisë dhe garantimin e mundësive të barabarta.

📅 Data: 20 tetor 2026
🕛 Ora: 12:00–14:00
📍 Vendi: Pallati i Kulturës “Sadi Halili”, Librazhd

Ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij dialogu!

Në kuadër të nismës “Udhëtimi në Shqipëri”, KMD ka zhvilluar deri më tani takime në Malësi të Madhe, Fushë-Arrëz, Kukës, Bulqizë dhe Klos, ndërsa pas ndalesës në Librazhd, nisma do të vijojë në Mallakastër, Kolonjë, Përmet dhe Rrëshen (Mirditë), duke zgjeruar dialogun e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe komunitetet lokale për identifikimin e problematikave dhe promovimin e barazisë e të mbrojtjes nga diskriminimi.