Lajme

KMD diskuton mbi forcimin e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile për mbrojtjen nga diskriminimi

Përfaqësuesi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori pjesë në Programin e Trajnimit dhe të Mentorimit për Organizatat e Shoqërisë Civile, të zhvilluar në kuadër të projektit PACEP II dhe të organizuar nga Rrjeti i Profesionistëve të Rinj (YPN).

Gjatë takimit, përfaqësuesi i KMD-së diskutoi mbi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucionit dhe organizatave të shoqërisë civile, duke u fokusuar te trajtimi i ankesave për diskriminim, mekanizmat ligjorë të mbrojtjes dhe roli i rekomandimeve institucionale në adresimin e problematikave që lidhen me barazinë dhe mosdiskriminimin.

Bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile përbën një element të rëndësishëm për identifikimin e rasteve të diskriminimit, informimin e qytetarëve mbi të drejtat e tyre dhe forcimin e mekanizmave të mbrojtjes nga diskriminimi.

Programi trajtoi gjithashtu rëndësinë e hartimit të dokumenteve të politikave publike, mbështetjen e tyre në prova dhe në kuadrin ligjor, si dhe formulimin e kërkesave të qarta dhe të argumentuara drejtuar institucioneve publike.