Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo), zhvilloi një takim me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi, për garantimin e aksesueshmërisë dhe pjesëmarrjes së barabartë në procesin zgjedhor për personat me aftësi të kufizuara.
Në takimin e iniciuar nga Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Tafa ngriti nevojën për marrjen e masave konkrete që garantojnë ushtrimin e së drejtës së votës pa pengesa dhe pa diskriminim. Në mënyrë të veçantë, u kërkua vëmendje ndaj garantimit të aksesueshmërisë në qendrat e votimit për personat me aftësi të kufizuara, si dhe shqyrtimi i zgjidhjeve që mundësojnë pjesëmarrjen në votim të personave të cilët, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore ose për shkak të kritereve të tjera specifike, nuk mund të aksesojnë Qendrat e Votimit.
Nga ana e tij, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi, shprehu gatishmërinë për vijimin e bashkëpunimit institucional dhe për adresimin e kërkesave të ngritura nga Komisionerja me qëllim lehtësimin e aksesit në procesin zgjedhor.
Gjatë takimit, të dyja palët ranë dakord për kryerjen e monitorimeve, me qëllim evidentimin e pengesave në aksesueshmërinë e qendrave të votimit dhe identifikimin e masave konkrete për garantimin e pjesëmarrjes së barabartë në procesin zgjedhor të personave me aftësi të kufizuara, në kushte të barabarta dhe pa diskriminim.

