Lajme

KMD mori pjesë në prezantimin e studimit “Gjendja e të Drejtave të Pakicave Kombëtare në Shqipëri”

Përfaqësues të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi morën pjesë në prezantimin e studimit “Gjendja e të Drejtave të Pakicave Kombëtare në Shqipëri”, të organizuar nga Avokati i Popullit me mbështetjen e Këshillit të Evropës.

Studimi ofroi një analizë të situatës së të drejtave të pakicave kombëtare në Shqipëri për periudhën 2015–2025, duke evidentuar progresin e arritur, sfidat ekzistuese dhe nevojën për forcimin e zbatimit në praktikë të kuadrit ligjor që garanton mbrojtjen e tyre.

Gjatë prezantimit u theksua rëndësia e mbledhjes së të dhënave për barazinë, veçanërisht në fushat e arsimit, punësimit, strehimit dhe kujdesit shëndetësor, si dhe domosdoshmëria e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me organizatat e shoqërisë civile për identifikimin dhe adresimin e sfidave me të cilat përballen komunitetet e pakicave kombëtare.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerëson iniciativa të tilla si një kontribut të rëndësishëm në forcimin e politikave për barazi dhe mosdiskriminim, duke theksuar angazhimin institucional për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të personave që u përkasin pakicave kombëtare në Shqipëri.