Nisma “Udhëtimi në Shqipëri” ndaloi sot në Kukës për takimin e tretë të turit kombëtar të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili zhvendosi institucionin më pranë qytetarëve dhe shqetësimeve të tyre. Pas dy takimeve të para në Malësi të Madhe dhe Fushë-Arrëz, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo) u ndal në Kukës për të diskutuar mbi “Përfshirjen dhe aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuara”.
Takimi u karakterizua nga interesi dhe pjesëmarrja aktive e qytetarëve të Kukësit dhe përfaqësuesit e institucioneve vendore, të cilët u përfshinë në diskutime duke ndarë vështirësitë që hasin në përditshmëri, si dhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e situatës.
Në fjalën e saj, Komisionerja znj. Genta Tafa (Bungo) theksoi se diskriminimi ndaj personave me aftësi të kufizuara nuk shfaqet gjithmonë përmes fjalëve apo veprimeve të hapura, por shpesh fshihet në mënyrën se si ndërtohen dhe ofrohen mjediset dhe shërbimet. “Një shkallë pa rampë, një zyrë pa ashensor, një trotuar pa hapësirë për një karrocë. Këto nuk janë thjesht çështje infrastrukture, kur një person nuk mund të hyjë fizikisht në një institucion, atij i mohohet në praktikë e drejta për t’u shërbyer njësoj si çdo qytetar tjetër. Ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” e njeh këtë si diskriminim dhe institucioni ynë e ka mandatin të shqyrtojë çdo ankesë të kësaj natyre”, u shpreh Komisionerja.
Ndër problematikat e ngritura nga qytetarët gjatë diskutimit ishin mungesa e transportit ndërqytetas në disa zona të thella, nevoja për garantimin e aksesit të barabartë në arsim për personat me aftësi të kufizuara, mungesa e hapësirave të përshtatura dhe të aksesueshme për ta, si dhe nevoja për më shumë ndërgjegjësim dhe përfshirje të aktorëve lokalë në evidentimin dhe adresimin e këtyre problematikave.
Në mënyrë të veçantë, qytetarët evidentuan si një problematikë konkrete vështirësitë që hasin personat me aftësi të kufizuara në aksesin në institucione dhe shërbime publike, për shkak të mungesës së lehtësirave të nevojshme, duke kufizuar në praktikë mundësinë për të përfituar në mënyrë të barabartë nga këto shërbime.
Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi informuan të pranishmit se çdo qytetar, ka të drejtë t’i drejtohet Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe të depozitojë ankesë pa asnjë kosto, sa herë që vlerëson se i është mohuar një e drejtë për shkak të aftësisë së kufizuar.
Nisma “Udhëtimi në Shqipëri”, e cila mbështet edhe nga projekti PACEP II, është në zhvillim dhe do të vijojë me ndalesat e rradhës me komunitetet lokale në Bulqizë, Klos, Librazhd, Mallakastër, Kolonjë, Përmet dhe Rrëshen, Mirditë.

