Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi Fier mori pjesë në tryezën e organizuar në Divjakë nga Qendra “Epoka e Re”, në kuadër të projektit “Skuadra e Sigurisë Publike 2 – Partnerë për një komunitet të sigurt”, me fokus rritjen e sigurisë në shkolla dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, strukturave arsimore, Policisë së Shtetit, Shërbimit të Provës dhe aktorëve të tjerë të komunitetit. Diskutimet u përqendruan te siguria e nxënësve, parandalimi i bullizmit dhe përjashtimit social, trajtimi i pabarabartë, si dhe roli i familjes dhe institucioneve në adresimin e këtyre problematikave.
Zyra Rajonale e Komisionerit në Fier solli në vëmendje rëndësinë e garantimit të barazisë, mosdiskriminimit dhe gjithëpërfshirjes në arsim, duke prezantuar edhe rekomandimet e publikuara nga institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi “Për garantimin e barazisë, mosdiskriminimit dhe gjithëpërfshirjes në arsim”.
Tryeza evidentoi nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet shkollës, familjes, institucioneve dhe komunitetit, për të garantuar një mjedis arsimor të sigurt, gjithëpërfshirës dhe pa diskriminim për çdo fëmijë.

