Pas takimit të zhvilluar më herët gjatë ditës së sotme në Bulqizë, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ndaloi në Klos turin kombëtar “Udhëtimi në Shqipëri”, për folur mbi marrëdhënien e qytetarëve me institucionet publike, barrierat administrative dhe procedurale si dhe pengesat që ata mund të hasin në aksesin e shërbimeve publike.
Në fjalën e saj Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo), theksoi se barazia në shërbimet publike nuk duhet të mbetet vetëm një parim formal, por duhet të ndihet konkretisht nga qytetarët.
“Shërbimet publike ekzistojnë për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, kjo është vetë arsyeja e ekzistencës së tyre. Kur ky parim thyhet, qoftë përmes një veprimi të drejtpërdrejtë, qoftë përmes një procedure që në dukje është neutrale, por në praktikë përjashton disa grupe, i gjithë sistemi humbet kuptimin e tij themelor,” u shpreh Komisionerja.
Një vëmendje e veçantë Komisionerja i kushtoi edhe grupeve që gjenden në situata vulnerabiliteti, për të cilët ajo u shpreh se “një person i moshuar, që jeton në një fshat të largët, që nuk ka njohuri digjitale dhe që ka gjithashtu një aftësi të kufizuar lëvizjeje, mund të përballet disa barriera njëkohësisht kur përpiqet të marrë një shërbim të thjeshtë publik. Institucionet duhet ta kuptojnë se trajtimi “i barabartë” nuk do të thotë gjithmonë t’i trajtosh të gjithë saktësisht njësoj, ndonjëherë do të thotë t’u ofrosh mbështetje shtesë atyre që hasin më shumë pengesa, në mënyrë që rezultati final të jetë vërtet i barabartë”.
Në takimin ku morën pjesë shumë qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve vendore pjesëmarrësit ndanë problematika konkrete dhe përvoja të ndryshme nga kontakti i tyre me shërbimet dhe administratën, ndërsa KMD informoi mbi mënyrat e identifikimit dhe referimit të rasteve të mundshme të diskriminimit dhe mekanizmat që qytetarët kanë në dispozicion për t’iu drejtuar institucionit.
Pas dy ndalesave në Qarkun e Dibrës, nisma e mbështetur edhe nga projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim PACEP II, do të vijojë me ndalesën e rradhës në datën 20 tetor në qytetin e Librazhdit dhe më tej në Mallakastër, Kolonjë, Përmet dhe Rrëshen në Mirëditë.

