Lajme

KMD në Bulqizë – Qytetarët ngrenë shqetësime për punësimin dhe aksesin në shërbimet publike

Turi kombëtar për identifikimin e vështirësive dhe pengesave të qytetarëve ndaloi sot në Bulqizë në të cilën pati pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, përfaqësuesve të institucioneve dhe aktorëve lokalë.

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi znj. Genta Tafa (Bungo) dhe stafi shoqërues i institucionit, zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me të pranishmit për të identifikuar dhe informuar mbi rastet ku nevojitet mbrojtje nga institucioni.

Në fjalën e saj Komisionerja znj. Genta Tafa (Bungo) tha se “Diskriminimi në rekrutim mund të marrë forma të ndryshme, disa më të dukshme se të tjera. Ka raste kur një shpallje pune përjashton hapur një kategori personash – për shembull duke kërkuar vetëm kandidatë të një gjinie të caktuar, ose nën një moshë të caktuar, pa asnjë arsye objektive që e justifikon këtë kufizim. Por ka edhe forma më të holla: intervista ku pyetjet e drejtuara një gruaje kanë të bëjnë kryesisht me planet e saj familjare, ose refuzime të pashpjeguara që, kur analizohen më nga afër, ndjekin një model të qartë përjashtimi ndaj një grupi të caktuar”.

Me tej, Komisionerja u ndal edhe në trajtimin e aksesit në shërbimet sociale dhe ndihmën ekonomike, gjendjes ekonomike si një shkak diskriminimi, trajtimi i barabartë në shërbimet shëndetësore dhe veçanërisht në mbrojtjen që ofron ligji nga viktimizimi pas ankimit. “Shpesh, frika kryesore që i pengon njerëzit të denoncojnë diskriminimin nuk është vetë procesi i ankimit, por frika nga pasojat që mund të vijnë pas tij, humbja e vendit të punës, përkeqësimi i marrëdhënieve me punëdhënësin, apo trajtim edhe më i keq nga institucioni që u ankuan. Ligji ynë e ndalon shprehimisht viktimizimi, domethënë çdo formë ndëshkimi apo trajtimi të pafavorshëm ndaj një personi për shkak se ka denoncuar një rast diskriminimi”, theksoi Komisionerja.

Gjatë bashkëbisedimit u ngritën shqetësimet mbi vështërisë e që hasin personat me aftësi të kufizuara në punësim si dhe në aksesueshmërinë e shërbimeve publike, vështirësitë e punësimit të grave dhe vajzave të këtyre zonave, si dhe nevojën për më shumë informacion mbi të drejtat dhe mekanizmat që mund të përdorin kur përballen me trajtim të pabarabartë apo diskriminim.

Nisma “Udhëtimi në Shqipëri”, mbështetur edhe nga projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim PACEP II, do të vijojë me ndalesën e rradhës në datën 20 tetor në qytetin e Librazhdit ku do të diskutohet mbi barazinë dhe mundësitë e barabarta për gratë dhe vajzat.