Lajme

KMD: Në proces verifikimi rasti i fëmijës 13-vjeçar me autizëm në QSUT

Pas publikimit të rastit të fëmijës 13-vjeçar me autizëm, të trajtuar në shërbimin e psikiatrisë së grave të QSUT-së, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi informon se është vënë në dijeni më herët për këtë rast dhe ka nisur që në muajin shtator verifikimet e nevojshme administrative, të cilat vijojnë të jenë në proces.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh shqetësim të thellë për problematikat e bëra publike lidhur me kushtet e trajtimit dhe kujdesit shëndetësor ndaj fëmijës 13-vjeçar me autizëm, duke theksuar se çdo situatë që mund të cënojë dinjitetin, sigurinë dhe të drejtat themelore të fëmijëve, veçanërisht të atyre me nevoja specifike për kujdes dhe mbështetje, kërkon vëmendje të veçantë nga institucionet përkatëse.
Komisioneri thekson se çdo fëmijë ka të drejtën të marrë shërbime shëndetësore të përshtatshme, në kushte që garantojnë dinjitetin, sigurinë dhe trajtimin e barabartë, pa asnjë formë diskriminimi.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi do të vijojë ndjekjen e rastit, në përputhje me kompetencat që i njeh ligji, me qëllim vlerësimin e rrethanave dhe identifikimin e çdo elementi të mundshëm diskriminues.