Lajme

KMD në prezantimin e studimit “Mes njohjes dhe padukshmërisë ligjore” nga Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo), mori pjesë në aktivitetin e prezantimit të studimit “Mes njohjes dhe padukshmërisë ligjore”, të realizuar nga Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI, në bashkëpunim me eksperten ligjore, av. Dea Nini.

Gjatë aktivitetit u prezantuan gjetjet kryesore të studimit mbi vendimmarrjen institucionale dhe gjyqësore në çështjet që lidhen me orientimin seksual, identitetin dhe shprehjen gjinore, si dhe karakteristikat e seksit. Analiza fokusohet jo vetëm te vendimet përfundimtare, por edhe te i gjithë procesi juridik, mënyra e arsyetimit, interpretimi dhe zbatimi i standardeve kombëtare e ndërkombëtare, si dhe te format e cënimit të të drejtave që evidentohen ose mbeten jashtë vëmendjes institucionale.

Në fjalën e saj, Komisionerja theksoi rëndësinë e zbatimit efektiv të legjislacionit kundër diskriminimit dhe forcimit të mekanizmave institucionalë për garantimin e të drejtave dhe trajtimit të barabartë të personave LGBTI+.

“Një e drejtë nuk quhet e garantuar vetëm sepse ekziston e shkruar në tekstin e një ligji apo në një Konventë Ndërkombëtare. Ajo merr jetë vetëm atëherë kur personi që e kërkon arrin ta gëzojë atë pa u përplasur me barriera të panevojshme dhe pa humbur besimin te mekanizmat e shtetit. Rruga e një personi drejt mbrojtjes ligjore kalon përmes disa hallkave, që nga momenti kur ai gjen forcën për të denoncuar një trajtim të pabarabartë, te mënyra se si çështja pranohet dhe trajtohet nga administrata dhe deri te arsyetimi përfundimtar i vendimit. Nëse në ndonjë prej këtyre hallkave krijohen pengesa që e bëjnë këtë rrugë të paarritshme, atëherë vetë kuptimi i ligjit vihet në pikëpyetje”, u shpreh Komisionerja.

Znj. Tafa (Bungo) nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile, duke theksuar rolet dhe përgjegjësitë e tyre në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Po aq e rëndësishme është marrëdhënia midis institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile. Rolet tona janë të dallueshme dhe ky dallim duhet të ruhet. Shoqëria civile përfaqëson zërin e komunitetit, monitoron dhe ngre me forcë problemet që hasen në jetën e përditshme. Institucionet mbajnë përgjegjësinë kushtetuese për të administruar ligjin dhe për të dhënë vendime të paanshme, por synimi ynë përfundimtar është i njëjtë: që dinjiteti dhe të drejtat themelore të çdo individi të jenë të mbrojtura realisht, pavarësisht kush është ai”, theksoi Komisionerja.

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, duke krijuar një hapësirë diskutimi mbi gjetjet dhe rekomandimet e studimit për forcimin e mbrojtjes ligjore dhe institucionale nga diskriminimi.