Lajme

KMD pjesë e diskutimeve për forcimin e të dhënave mbi moshimin në Shqipëri

Përfaqësuesja e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori pjesë në workshop-in “Vlerësimi i të dhënave për moshimin: Forcimi i bazës së të dhënave për politikat e moshimit në Shqipëri”, zhvilluar në kuadër të procesit të vlerësimit të nevojave dhe ekosistemit të të dhënave për moshimin në Shqipëri.

Aktiviteti u zhvillua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Komisionin Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën dhe Institutin e Statistikave, në të cilën KMD mori pjesë në cilësinë e institucionit anëtar të Grupit Ndërinstitucional të Statistikave të Përfshirjes Sociale.

Gjatë takimit u diskutua mbi burimet ekzistuese të të dhënave për moshimin, përdorimin dhe shkëmbimin e tyre, si dhe u evidentuan boshllëqet dhe nevojat prioritare për informacion.

Diskutimet u ndalën gjithashtu në mundësitë për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve, me synim përmirësimin e bazës së të dhënave dhe mbështetjen e politikave për moshimin e popullsisë dhe përfshirjen sociale në Shqipëri.