Në zbatim të Planit të Punës të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Zyra Rajonale e KMD-së Korçë zhvilloi një takim të hapur informues me përfaqësues të komunitetit në Njësinë Administrative Miras, Bashkia Devoll. Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të KMD-së, Avokatit të Popullit, Shërbimit të Ndihmës Juridike Falas Korçë dhe Shërbimit Social të Bashkisë Devoll, me synim afrimin e institucioneve me qytetarët dhe adresimin e problematikave të komunitetit.
Gjatë takimit, përfaqësuesja e KMD-së prezantoi Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, format e diskriminimit dhe mënyrat e identifikimit të tyre në fusha si punësimi, arsimi, shërbimet publike dhe shëndetësia. Qytetarët u informuan gjithashtu mbi mekanizmat e mbrojtjes dhe procedurën e paraqitjes së ankesës pranë KMD-së, si një shërbim falas, si dhe mbi rëndësinë e garantimit të trajtimit të barabartë.
Takimi u zhvillua në formën e një dialogu të hapur, ku qytetarët ngritën çështje që lidhen me aksesin në shërbime dhe ndihmë sociale, procedurat e ankesës dhe nevojën për më shumë informacion mbi të drejtat dhe mekanizmat ligjorë të mbrojtjes, veçanërisht në komunitetet jashtë qendrave urbane.

