Lajme

KMD prezanton praktikat e Shqipërisë në Seminarin Vjetor të ECRI-së mbi luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi përfaqësoi Shqipërinë në Seminarin Vjetor 2026 të Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), të zhvilluar në datat 15–16 tetor në Strasburg, në bashkëpunim me Rrjetin Evropian të Organeve të Barazisë (Equinet) dhe Komitetin e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD).

Seminari, me fokus rolin e organeve të barazisë në adresimin e narrativave të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në politikë dhe diskursin publik, mblodhi përfaqësues të institucioneve të barazisë, organizatave ndërkombëtare, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Përfaqësuesi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ishte një nga folësit në sesionin tematik mbi litigimin strategjik, mjetet efektive të mbrojtjes dhe zbatimin e legjislacionit kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes, duke folur mbi temën “Përtej vendimit: Si ta bëjmë efektiv legjislacionin për barazinë” duke vendosur theksin mbi rëndësinë e shndërrimit të vendimeve dhe mekanizmave ligjorë në masa konkrete që garantojnë mbrojtje efektive nga diskriminimi. Me fjalën e tij ai solli raste të praktikës së KMD-së duke ndarë përvojën institucionale në trajtimin e çështjeve të diskriminimit, zbatimin e legjislacionit dhe sfidat në garantimin e efektivitetit të vendimeve në praktikë.

Gjatë seminarit u diskutuan gjithashtu sfidat që paraqesin narrativat diskriminuese në diskursin politik, mediatik dhe online, si dhe rëndësia e komunikimit institucional, ruajtjes së pavarësisë së organeve të barazisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër racizmit dhe intolerancës.

Pjesëmarrja e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në këtë seminar përbën një mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave ndërmjet institucioneve homologe evropiane, në funksion të forcimit të mbrojtjes nga diskriminimi dhe promovimit të trajtimit të barabartë.